Shëndeti i kreut të partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka rezultuar pozitiv në ekzaminimet e bëra gjatë ditës së sotme në Gjermani.
Gjatë ditës së sotme ish kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i është nënshtruar një ekzaminimi mjekësor në qendrën e terapisë fizikale në Gjermani në të cilën ai po qëndron që katër javë. Mjekët e qendrës kanë thënë se gjendja shëndetësore e ish-shefit të qeverisë po shkon drejtë përmirësimit. Por që sipas tyre, ai do të duhet të qëndrojë në këtë qendër edhe për një kohë.
Lajmin për Express e ka konfirmuar Besnik Berisha, këshilltar i Isa Mustafës.
Në muajin janar, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë, siç thuhet për shkak të një gripi, për të vazhduar më pas trajtimin në Gjermani. Zyrtarë të LDK-së vazhdimisht kanë potencuar se gjendja e Mustafes është stabile dhe sipas tyre i njejti shumë shpejt do të kthehet në shtëpi. Sidoqoftë, sa ishte në Prishtinë për trajtim shëndetësor, mjekët kishin dyshuar se Mustafa mund të jetë prekur edhe nga “Guillain-Barré syndrome” (GBS).
Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik. Simptomat e para të këtij çrregullimi përfshijnë shkallë të ndryshme të dobësisë ose ndjesive. Këto simptoma mund të rriten me intensitet derisa muskuj të caktuar nuk mund të përdoren fare dhe, kur është e rëndë, personi është pothuajse tërësisht i paralizuar. Një individ i tillë shpesh vihet në një ventilator për ta ndihmuar me frymëmarrje dhe është parë nga afër për probleme të tilla si rrahje jonormale të zemrës, infeksione, mpiksje të gjakut dhe presion i lartë ose i ulët të gjakut. Shumica e individëve, megjithatë, kanë shërim nga kjo sindomë, edhe pse disa vazhdojnë të kenë një shkallë të caktuar të dobësisë./Gazeta Express/