Ish-kandidati për deputet nga LDK emërohet ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së

2020-07-06 në ora 15:49

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, infektologu Valbon Krasniqi është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.

Krasniqi njihet si njëri nga infektologët më aktiv gjatë kohës së pandemisë me paraqitjet e tij të shpeshta në media. Por ai është aktiv edhe në politikë, shkruan Gazeta Shneta.

Krasniqi ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare. Por para kësaj, ai ka qenë edhe këshilltar i ish-ministrit të shëndetësisë nga LDK Imet Rrahmani.

Infektologu poashtu ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të shëndetësisë në komunën e Prishtinës nga viti 2011, kohë kjo kur kryeqyteti është udhëhequr nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

Krasniqi u emërua në këtë pozitë pasi Bordi Drejtues i SHSKUK-së e shkarkoi Basri Sejdiun. Ish-drejtori u shkarkua për shkak të gjetjeve skandaloze të auditorit të brendshëm, Zyrës Kombëtare të Auditimit, ndikimeve politike si dhe pas vdekjes së dyshimtë të katër pacientëve në Klinikën Infektive. /Gazeta Shneta/