Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili dhe Drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, po qëndrojnë në një vizitë në Kroaci.
Pas takimit që kishin me ministrin kroat të Shëndetësisë dhe udhëheqësit e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Ismaili dhe Sejdiu vizituan Qendrën Klinike Universitare në Rebros.
Gjatë takimit me drejtorin Ante Çorusic, Ismaili ka kërkuar që të krijohen më shumë ura bashkëpunimi në mes të dy qendrave klinike universitare. Specifikisht, të shtohet ndihma mjekësore kroate, si një vend me mjekësi të zhvilluar për Kosovën.
“Si një shtet mik, edhe kësaj radhe kemi trokitur në derën tuaj që të forcojmë bashkëpunimin tonë. Të kemi më shumë shkëmbime profesionale, trajnime të profesionistëve tanë shëndetësor”, tha ministri Ismaili.
Çorusic ka deklaruar se ata do të jenë gjithmonë në gatishmëri për të mbështetur personelin mjekësorë dhe pacientët kosovarë në të gjitha format e kërkuara.
Pas këtij takimi, ministri Ismaili vizitoi disa prej klinikave më të rëndësishme të kësaj qendre, si Emergjencën, Pediatrinë, Kardiokirurgjinë dhe Kardiologjinë, ku u njoftua me praktikat e punës në këto klinika.
Bashkë me drejtorët e këtyre klinikave, u pajtuan që në javët në vijim të konkretizohet bashkëpunimi me marrëveshje konkrete, përmes së cilës do të përfitonin më së shumti personeli mjekësor dhe pacientët kosovarë. /Gazeta Shneta/