Kosova duhet të jetë e përgatitur si me barna e pajisje, ashtu edhe me kapacitete njerëzore që të përcjell trendet e vendeve të zhvilluara në luftën kundër kancerit. Ky është obligim i yni si politikë-bërës, por edhe i juaji si mjekë”.
Kështu tha sot Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili para pjesëmarrësve në Konferencën ndërkombëtare: “Qasja multidisiplinare në sfidat e Karcionomës së Prostatës”, që organizuar nga Task Forca Kosovare për Kontroll të kancerit (KTCC), po mbahet në Prishtinë, thuhet në një njoftim të MSH-së.
Duke theksuar faktin se kanceri është sot shkaktari i dytë i vdekjeve në botë me 8.8 milionë të vdekur në vitin 2015 dhe ¾ e këtyre rasteve në vendet me zhvillim të mesëm dhe të ulët, një indikator që tregon se të gjithë janë të ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje, Ministri Ismaili tha se, përkundër faktit që luftimi i saj është një detyrë shumë e vështirë edhe për profesionistët, përparimet e bërë kudo në botë në luftën kundër kancerit duhet shpërndarë dhe këmbyer përvojat e suksesshme.
Ismaili ka deklaruar se MSh do t’i bashkërendis aktivitetet për një planifikim të përbashkët në perpjekjet kundër sëmundjes së kancerit, duke u angazhuar në tre nivele: në parandalimin e kancerit; zbulimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm, citohet në njoftim.
Në këtë aspekt, ai theksoi rëndësinë e reduktimit të shkaktarëve të sëmundjes si duhani, alkooli, ushqimi jo i shëndetshëm; angazhimin për mobilizimin e fondeve për luftimin e kancerit; dizajnimin e programeve adekuate, me theks zbulimin e hershëm, si dhe mbështetjen e institucioneve për luftimin e kancerit, duke njohur edhe faktin që zbulimi i hershëm shpëton shumë jetë. /Gazeta Shneta/