Ismaili: Shëndetësinë e gjeta në zjarr, sigurimet nisin në fund të vitit 2018

2017-10-18 në ora 14:17

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka raportuar në Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale. Gjatë takimit të dytë të komisionit ministrit iu adresuar një varg rekomandimesh e pyetjesh për këtë sektor, raporton Ekonomia Online.

Duke u përgjigjur deputetëve ministri tha, se në fund të viti 2018 do të fillojë mbledhja e premiumeve, për sigurimet shëndetësore.

“Unë po dua me ju thanë që sigurimet shëndetësore do t’i fillojmë në fund të vitit të ardhshëm, për ta mbuluar të gjithë Republikën e Kosovës “.

Ai tha se sigurimet shëndetësore vetëm janë premtuar dhe se nuk ka pasur një planifikim të duhur, madje sipas tij, ideja e vetëfinancimit krijon kushte për korrupsion.

Sipas tij, ministria ka dështuar në krijimin e agjencisë për mbledhjen e premiumeve, dhe kjo e bënë të pamundur që të filloj mbledhja e tyre.

“Unë i kam duart e zgjidhura dhe shpresoj që edhe të tjerët i kanë. Është e vërtetë që unë po menaxhoj zjarre dhe ato i kam gjetur aty. Sa i përket sigurimeve shëndetësore ideja e vetëfinancimit krijon kushte për korrupsion, por jo në një sistem të tillë”.

“Ministria nuk ka mundur me e krijuar një agjenci për me filluar mbledhja e pemiumeve edhe pse kemi vendimin për mbledhjen e premiumeve ai është gjymtuar dhe vet e kanë bërë të pamundur me filluar mbledhja e premiumeve.

Ministri tha se kjo është një patate e nxehtë dhe ka shumë pa qartësi, raporton EO.

“… keni krijuar një patate te nxehte që nuk dihet sa akte nënligjore kanë me u krijuar ka shumë paqartësi. Unë nuk po dua me ju dhanë fjalë dhe politikë. E para unë e thash dhe do ta them nëse ka një konsistencë është transparenca llogaridhënia dhe rritja e buxhetit. Buxheti do të rritet, sigurimet shëndetësore qytetarët e Kosovës do të kenë dhe ju do të jeni bashkëpjesëmarrës të këtij procesi”.

Kryetarja e komisionit për shëndetësi, deputetja e LVV-së, Besa Baftiu, duke ju drejtuar ministrit tha se për t’i arritur të gjitha këto besoj që është mirë që të kemi sistemin informativ shëndetësor dhe sigurime shëndetësore.

Haxhi Avdyli, anëtar i komisionit, tha se istoria e sigurimeve shëndetësore është një histori e dështuar e cila ka filluar në vitin 2004 dhe ky është dështim i të gjithë neve.

Ministri Ismaili më tej tha se sektori i shëndetësisë është sektori më i nënfinancuar në Kosovë dhe përcillet me një jostabilitet të vazhdueshëm. Ai për këtë sektori paraqiti edhe planin e tij për katër vitet e mandatit sa do të drejtoj këtë dikaster.

“Unë konsideroj që ministria e shëndetësisë të vendosë së pari rregulla për veti sepse në mungesë të jostabiliteti joinstitucional ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies dhe për mua detyra e parë është që të bëjë rregullimin e kësaj”.

Pengesa e dytë është se sektori është i nënfinancuar dhe sepse ministria financohet me 2.6 të GDP-së, ndërsa në rajon merr mbi 4 për qind dhe ne kemi nevojë të krijojmë stabilitet financiar”.

“Nëse dëshirojmë të kemi shërbim mjekësor më të mirë duhet ta krijojmë një financim të qëndrueshëm. Ka pasur mungesë të bordit të ShSKUK ju kam dërguar ftesat për ta funksionalizuar bordin dhe siç e dini bordi është krijuar. ShSKUK është organizatë shumë e madhe por mungojnë kapacitetet menaxheriale e unë jam duke diskutuar me BB për ti mbështetur ata”.

“Kemi një lloj tollovie për çështjen e kalimit të pacientëve nga shërbimi primar në atë sekondar e pastaj në terciar, aty jemi duke punuar në menaxhimit të mirë të kuadrove në mënyrë që mjeku të jetë më afër qytetarit. Ministria duket ta ketë edhe rolin edukativ për qytetarët”.

Anëtari i komisionit, deputeti i LDK-së, Naser Rugova duke ju drejtuar ministrit tha se nuk ka pyetje pasi që ministri sapo e ka marr detyrën por do t’i jap disa rekomandime.

“Unë konsideroj që ne si komision do e ngrisim zërin do ju dalim në mbështetje për punët e mira, por do të përballeni me zërin e fuqishëm për të gjitha mosveprimet neglizhencat. Fondi i sigurimeve shëndetësore ka qenë publik nga Qeveria e kaluar. Ju duhet ti kushtoni vëmendje inspektoratit shëndetësor. Duhet ti kushtoni vëmendje cilësisë së barnave. Jemi lodh me storje dhe afera mediale në kurriz të punëtorëve shëndetësor.

Flora Brovina, anëtare e komisionit, deputete e PDK-së, kërkoi nga ministri të dijë se kur do të bëhet plotësim ndryshimi i Ligjit për Shëndetësinë.

“Ligji për Shëndetësinë e kemi parë që ka mangësi çka do të bëni ju me ketë kur do të presim plotësim ndryshimin e këtij ligji”.