Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot Spitalin e Gjilanit pasi në krye të këtij institucioni erdhi një përkrahës i fuqishëm i partisë së tij
Nysret Hajrullahu është zgjedhur drejtor në Spitalin e Gjilanit gjatë muajit të kaluar, shkruan Gazeta Shneta.
Ai njihet si një përkrahës i fuqishëm i PDK-së, pasi në zgjedhjet e kaluara parlamentare kishte lobuar shumë për “Misionin e Ri”.
Për të siguruar fitoren e PDK-së, Hajrullahu kishte mobilizuar edhe mantelbardhët duke organizuar tubime.
E pas zgjedhjes në pozitën e drejtorit, Hajrullahun e ka vizituar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili vjen nga PDK-ja.
Ismaili e ka uruar Hajrullahun për pozitën e re dhe i ka shprehur përkrahjen e tij.
“Sot vizitova spitalin e Gjilanit për të parë nga afër punën dhe sfidat me të cilën po ballafaqohet ky spital. Me këtë rast e urova edhe drejtorin e ri të këtij spitali, Nysret Hajrullahun, i cili ka marrë një detyrë me përgjegjësi të lartë. E sigurova drejtorin Hajrullahu se do të ketë përkrahjen time në secilin hap në punën e tij në të mirë të qytetarëve të Gjilanit”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Ai ka shtuar tutje se gjatë këtij viti ka në plan të investojë në pajisje dhe infrastrukturë për të përmirësuar shërbimet ndaj pacientëve. /Gazeta Shneta/