Ismali dhe Sejdiu inspektojnë punimet për Kirurgjinë e Fëmijëve bashkë me donatorët

2018-11-20 në ora 16:16

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, së bashku me një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë vizituar sot vendpunimin ku po ndërtohet Spitali Pediatrik Kirurgjik. Ky lajm është bërë i ditur në rrjetin social Facebook, nga QKUK.

Gjatë kësaj vizite, ministri Ismaili tha se pas shumë vitesh zvarritje, është kënaqësi të shohësh që punimet kanë nisur me intesitet të lartë dhe objekti më në fund po merr formën e tij.

“Pas shumë vitesh zvarritje, objekti i Spitalit Pediatrik Kirurgjik ngadalë po merr formën e tij. Së bashku me përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe sot vizituam punimet të cilat po zhvillohen me intesitet të lartë që brenda 22 muajve të kemi një spital modern që do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë”, tha ministri Ismaili.

Sipas ministrit Ismaili, me përfundimin e këtij objekti, fëmijët kosovarë do të kenë shërbime moderne shëndetësore. “Me rreth 10 mijë metra katrorë hapësirë, ky spital që kap koston 20 milionë euro, do të ofrojë kushte të mira për punë, 100 shtretër dhe pajisje bashkëkohore për shërbime profesionale ndaj fëmijëve tanë”, ka thënë ai.

I pranishëm në këtë vizitë ishte edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu.
Ai tha se është një e mirë e madhe që ky objekt më në fund po ndërtohet pasi që pacientë janë fëmijët dhe kirurgjia pediatrike është më se e nevojshme për Kosovën.

“Ne si SHSKUK do bëjmë planifikim të jemi të gatshëm me staf dhe pajisjet që do vijnë. Është lajm i mirë që punimet po zhvillohen sipas planit dhe mezi presim që ky projekt të përfundoj”, tha drejtori Sejdiu./Gazeta Shneta/