Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, thotë se në mesin e muajit shkurt, eventualisht në javën e tretë, në Kosovë do të vijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19, përmes skemës së njohur si COVAX.
Ajo thotë se janë dy prodhues me të cilët po bisedohet për t’i lehtësuar procedurat e ardhjes së vaksinave në Kosovë, por kontingjenti i parë i vaksinave do të jetë nga Universiteti i Oksford-it dhe kompania AstraZeneca.
“Organizata e Botërore e Shëndetësisë së bashku me UNICEF-in dhe Bankën Botërore jemi partnerë, të cilët prej fillimit dhe në vazhdimësi jemi duke e mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë, për të përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për të marrë donacion (vaksinat) nga COVAX-i, që është diku për 20 për qind të popullatës së Kosovës”, ka thënë Humolli për REL.
Ajo ka thënë se sipas lajmeve të fundit, “besojmë që në mesin e shkurtit, eventualisht javën e tretë, do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19”.
“Donacion është për 20 për qind të popullatës, që i bie diku mbulesë me dy doza për 360 mijë persona në Kosovë. Në diskutim jemi me AstraZenecan dhe me Pfizerin. Këta janë dy prodhues me të cilët jemi në bisedime se si t’i lehtësojmë procedurat e ardhjes së vaksinave në Kosovë, por pritet që kontingjenti i parë të jetë nga AstraZeneca”.
“Në fakt, kjo vaksinë jepet në dy doza, efikasiteti pas vaksinimit e kalon 90 për qind (v.j siç raportoi BBC më 2 shkurt, studimi i fundit i bërë nga Universiteti i Oxford-it, që nuk është publikuar ende, ka treguar se doza e parë e kësaj vaksine ka efikasitet prej 76 për qind tre muaj pasi vaksina është marrë) dhe sipas asaj e cila është dëshmuar deri më tani, pritet që dy dozat të jenë të mjaftueshme që personi të mbrohet nga COVID-19”, ka deklaruar Humolli.