Mënyra e të lindurit nëpërmjet operacionit cezarian, është atëherë kur nuk është e mundur lindja në një mënyrë tjetër.
Gjatë këtij operacioni, përmes një incizioni horizontal prej 10 cm (e ashtuquajtura laparotomi Pfannestiel) në fund të barkut, kryhet hapja e mitrës me qëllim nxjerrjen e bebit.
Perceptimi për lindjen me operacion cezarian ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve. Dikur kjo lindje konsiderohej si alernativa e fundit për të përfunduar lindjen.
Megjithatë, në ditët e sotme, shume femra zgjedhin të lindin me anë të operacionit cezarian, edhe pse nuk është e nevojshme. Kjo për faktin e thjeshtë se ato nuk duan të përjetojnë një lindje të zgjatur (frikë kjo në shumicën e rasteve e ekzagjeruar dhe e pajustifikuar). Megjithatë shumica e mjekëve obstetër respektojnë vendimin e pacientes.
Kur indikohet lindja me operacion cezarian?
Zakonisht një lindje rekomandohet të kryhet me operacion cezarian në rastet e mëposhteme:
Kur koka e bebit është shumë e madhe për të kaluar me siguri dhe pa komplikacione përmes kanalit të lindjes, ose kur pelvizi matern (baçini i nënës) është shumë i ngushtë për të lejuar kalimin e sigurtë dhe pa komplikacione të kokës së bebit.
Kur bebi nuk ka marrë pozicionin e duhur në mitër për një lindje natyrale.
Kur lindja e mëparshme është kryer po me operacion cezarian.
Kur pacientja ka patur në të kaluaren operacione në mitër (heqje të miomave, të septumeve etj).
Në rast se kemi shtatzani multiple (binjakë / trinjakë), është më e sigurtë për bebat që të kryhet lindja me operacion cezarian.
Kur bebi është më i vogël nga sa pritej për javën e shtatzanisë (IUGR – intrauterine groëth restriction)
Lloji i anestezisë
Anestezia më e përdorur është ajo epidurale ose spinale. Preferohet më shumë epiduralja pasi mund ta përdorim deri edhe 48 orë pas operacionit ndërkohë që anestezia spinale ka efekt 4-6 orë, dhe për këtë arsye lind nevoja edhe për analgjezikë të tjerë për të luftuar dhimbjen post-operatore të 2 ditëve të para. Anestezia epidurale preferohet jo vetëm nga gjinekologët, por edhe nga mjekët pediatër. Në raste shumë të rralla (urgjenca ose kur anestezia epidurale apo spinale nuk indikohen) prdoret anestezia gjenerale.
Kohëzgjatja është 30-45 minuta.
Pacientja zakonisht ngrihet në këmbë në 24-48 orët e para pas operacionit.
Ushqimi me gji
Nuk ka asnjë efekt negative të lindjes me operacion cezarian mbi ushqimin me gji të neonatit./Femra.net/