I njohur si Doktor Pali, nga kënga që ia patën kushtuar Motrat Bushi në fushatën zgjedhore për kryetar të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, është mjeku më i pasur në Kosovë.
Lekaj, i cili është edhe deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvend, është doktor i mjekësisë së përgjithshme. Ai ka të kryer masterin në menaxhmentin e mjekësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Lekaj ka deklaruar goxha shumë pasuri në Agjencionin Kundër Korrupsion. Por krejt pasurinë milionëshe e ka të deklaruar si të përbashkët.
Shtëpi, tokë dhe dy restorante, të gjitha në vlerë prej hiq më pak se 6 milionë e 280 mijë euro.
Ish-kryetari i Gjakovës ka 13 vetura në pronësi të përbashkët familjare të cilat kapin shumën prej 292 mijë euro.
Lekaj merr rrogë vjetore nga Kuvendi gati 23 mijë euro dhe mëditje për udhëtime zyrtare jashtë vendit në vlerë 750 euro. Ndërsa nuk e ka të deklaruar asnjë cent si para të gatshme në bankë. /Gazeta Shneta/