Në këtë artikull, mund të lexoni benefitet e lojës që zgjeron sferën e komunikimit dhe zhvillimit të fëmijës, të shkruar nga Klaudia Sinani – logopede.
Loja është konsideruar gjithmonë si “arratisje” prej të mësuarit serioz. Por në të vërtetë për fëmijët të luajnë do të thotë të mësojnë. Loja është puna e fëmijërisë.- citon Fred Rogers.
E cituar si më sipër loja është puna e fëmijërisë. Edhe në momentet kur fëmijët tuaj luajnë qetësisht, ata janë duke mësuar informacione të rëndësishmë, të cilat i memorizojnë dhe do t’i përdorin kur t’u nevojiten. Dhe kjo fillon që ditën që lindin.
Loja ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës tek fëmijët. Por si e mësojnë fëmijët gjuhën dhe të folurin nëpërmjet lojës?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, le ta rikthejmë vëmendjen që në foshnjëri e hap pas hapi në gjithë vitet e zhvillimit të fëmijës. Kujtoni fëmijët tuaj kur luani me gishtat e dorës apo kur luani “sylla-mbylla” , e njohur ndryshe si loja “peek-a-boo”. Në ato çaste ju po i ndihmoni ata që të mësojnë. E ndërsa rriten e zhvillohen, nëpërmjet lojës mësojnë informacione edhe më komplekse.
Fëmijët vëzhgojnë
Fëmijët vëzhgojnë veprimet e të tjerëve. Dhe kjo nis që kur lindin. Ata vëzhgojnë fillimisht fytyrën tuaj dhe rregjistrojnë çdo shprehi. Vëzhgojnë çdo lëvizje të gojës dhe buzëve kur ju u flisni dhe i memorizojnë këto lëvizje në mënyrë që t’i përdorin kur të fillojnë të përdorin dhe vetë të folurin. Gjithashtu ata vëzhgojnë dhe gjuhën tuaj të trupit kur ju komunikoni me ta në mënyrë që të kuptojnë se çfarë do të thotë një veprim apo shprehi e caktuar. Ata vëzhgojnë çdo shprehi të fytyrës suaj dhe fillojnë të bëjnë lidhjen se cila shprehi i përket cilës gjendje shpirtërore të të rriturit. Fëmija juaj j’u vëzhgon ju dhe bashkëmoshatarët ndërkohë që luani me të dhe mëson. Dhe më pas do të fillojë të imitojë çdo veprim që ka parë, si dhe të folurin që ka shoqëruar lojën.
Fëmijët dëgjojnë
Ndërkohë që ata ju vëzhgojnë, njëkohësisht dhe ju dëgjojnë. Kjo fillon faktikisht që para se të lindin. Ata dëgjojnë çdo tingull që ne bëjmë, fjalë që themi apo fjali që formojmë. Në fillim, të gjitha këto ndoshta nuk do të bëjnë sens për ta, por me kalimin e kohës çdo informacion do të fillojë të marrë kuptim. Ata do t’ju dëgjojnë juve dhe bashkëmoshatarët, ndërkohë që luani me ta dhe do të fillojnë t’i përdorin më vonë ato fjalë.
Fëmijët eksplorojnë
Është momenti kur loja bëhet edhe më interesante. Fëmija juaj fillon të eksplorojë çdo gjë rreth tyre dhe të luajë me objektet përreth. Ndërkohë që fëmija juaj e bën këtë, uluni afër tij, luani dhe flisnin me të. Ai po ju vëzhgon dhe dëgjon. Le të marrim si shembull lojën me kuba, ndërtoni një kullë me 2-3 kuba fillimisht dhe komentojeni. Ndërkohë që shtoni kubat shoqërojeni me fjalë veprimin duke thënë “shiko, vendose kubin” dhe fëmija do të njihet me fjalën kubi. Gjithashtu ai do të jetë duke memorizuar çdo veprim tuajin në mënyrë që ta provojë më vonë dhe vetë.
Kini parasysh se fëmija mëson ndërsa rritet dhe pjesa më e këndshme e rritjes është loja. Gjithashtu loja më e bukur për fëmijën tuaj, është të uleni afër tij dhe të luani sëbashku./psikologjiadheshendeti