Ja si ta mbani beben gjatë ushqyerjes me shishe

2017-05-18 në ora 09:23

Ju do t’i mësoni shumë shpejt veprimet e duhura dhe pozicionin e përshtatshëm për të ushqyer foshnjën me biberon. Thelbësore është që të ndiheni mirë si foshnja ashtu edhe ju, për më tepër që gjatë muajit të parë ajo ushqehet rreth 6 herë në ditë.

Ja cila është mënyra më e mirë për ta ushqyer fëmijën me biberon

Qëndrimi i duhur

Uluni në mënyrë të rehatshme: në një kolltuk, në një divan… dhe qetësisht. Merreni dhe mbajeni foshnjën mbi gjunjë, më pas mbështeteni në pjesën ku përthyhet parakrahu, në pozicion gjysmëndenjur, as shumë të shtrirë, as shumë ngritur. Ju mund të përdorni edhe një jastëk për të mbështetur krahun tuaj (ose një mbështetëse). Kujdes, mos harroni të ndërroni krahun herë pas here, në mënyrë që të mos ju mpihet.

Futja e biberonit në gojë

Afrojeni biberonin në drejtim të foshnjës. Nëse nuk e hap gojën vetë, përkëdhelni buzët e saj me majën e biberonit. Bëni kujdes që koka e biberonit të jetë gjithmonë e mbushur me qumësht, për të shmangur thithjen e tepërt të ajrit. Gjithashtu, kujdesuni që hunda e foshnjës të mos jetë e bllokuar dhe që ajo të marrë frymë lirisht.

Kur foshnja thith, do të vini re krijimin e disa flluskave brenda biberonit. Nëse ajo ndalon së piri, ndihmojeni që të gromësijë. Nëse fëmija thith por qumështi nuk rrjedh, çlirojeni pak unazën shtrënguese të biberonit sa të marrë pak ajër. Nëse foshnja pi me rrëmbim, ndryshoni shpejtësinë e kokës së biberonit (e merrni me fluks më të vogël, pra me më pak vrima) .

Me binjakë

Binjakët kërkojnë shumë më tepër organizim. Këshillohet që ata të ushqehen sipas një orari të rregullt, në mënyrë që edhe nënës t’i krijohet mundësia për pak qetësi. Por kjo gjë nuk është gjithmonë praktike sepse duhen pasur parasysh edhe ritmet natyrore të foshnjave

Cila është sasia e duhur e qumështit?

Pas daljes nga materniteti, në përgjithësi, një foshnjë pi në ditë 6-7 biberonë me nga 60 ml qumësht secili (njërin nga të cilët, gjatë natës). Më pas, biberonët kalojnë në sasinë 90 ml, për të arritur afërsisht në 120 ml, në fund të muajit të parë.

Këto doza janë të përafërta dhe duhet të përshtaten me oreksin dhe me ritmet e rritjes së foshnjës. Gjithashtu, nuk duhet ta detyroni foshnjën ta përfundojë të gjithë sasinë e qumështit të biberonit nëse ajo nuk do më. /pernenat