Nënat e reja përballen me lloj-lloj vështirësish, përfshirë këtu edhe heqja e pelenës dhe mësimi se si të shkohet vetë në tualet.
Mosha e duhur
Nënat duhet të kuptojnë se ky proçes nuk mund të fillojë nëse fëmija është më i vogël se 18 muajsh, por mosha ideale do të ishte mbi dy vjeç. Koha që i duhet fëmijës për të mësuar të shkojë vetë në tualet varet nga disa faktorë, ku përcaktues është edhe gjenetika. Nëse prindërit apo pararadhësit e tjerë në familje kanë dashur një kohë të caktuar për këtë proces, kjo gjë mund të trashëgohet edhe tek fëmijët.
Gjithashtu është vërejtur se djemve iu duhet më shumë kohë të mësohen me këtë zakon të ri, sesa vajzave. Prindërit duhet shpeshherë t’i marrin fëmijët me vete në tualet, në mënyrë që ata të kuptojnë se ky është një veprim normal i trupit të njeriut.
Si ta përgatisni fëmijën?
Është shumë e rëndësishme që përgatitja të fillojë në një moment kur fëmija gëzon shëndet të plotë, pasi nuk është e këshillueshmë që të përpiqeni t’i tregoni si të shkojë në tualet, ndërkohë që ka probleme me dhëmbët apo temperaturë.
Gjithashtu këshillohet periudha e verës, si periudha më e mirë për t’i mësuar bebes tuaj diçka të tillë.
Kohëzgjatja
Në momentin që ju mendoni se tashmë fëmija juaj është gati të shkojë vetëm në tualet, mund të përballeni me situata të pakëndshme, e të ndieni se fëmija është lagur gjatë natës. Mos u shqetësoni!
Kuptoni se ky proçes nuk mësohet brenda ditës, as javës. Ndonjëherë mund të duhen edhe muaj, kjo është situatë normale. Mënyra më e mirë për ta mësuar fëmijën, është përdorimi i një uturaku, pasi në tualet fëmijët mund të tremben nga WC, sepse iu duket sikur bien.
Këshillohet ta çoni fëmijën shpesh në tualet dhe të qëndroni gjatë aty. Do të ishte mirë që t’i mësoni fëmijës të shkojë në tualet sapo zgjohet në mëngjes që kjo gjë t’i bëhet rutinë, si veprimi i parë që duhet të bëjë sapo të hapë sytë./pernenat.al/