Jeni shtatzënë? Këto janë ushqimet që nuk duhet të konsumoni gjatë kësaj periudhe

2017-03-07 në ora 13:39

Shtatzënia është periudha më e bukur në jetën e një femre, por në të njëjtën kohë edhe më sfiduesja. Tanimë brenda saj rritet një qenie e re, e cila ka nevojë për përkujdesje që në fazat e para të rritjes së embrionit. Për këtë arsye nënës së re i duhet një regjim ushqimor i shëndetshëm dhe sa më i pasur në vitamina, proteina, minerale, fibra dhe elementë të tjerë ushqyes.

Në mendësinë popullore femra shtatzënë mund dhe duhet të hajë gjithçka. Kjo është shumë e gabuar pasi të ngrënët pakufi nuk nënkupton domodoshmërisht shëndet më të mirë. Në listën e mëposhtme do të gjeni një listë më ushqimet e ndaluara gjatë shtatzënisë.

Mishi i pabërë: Shmangni kategorikisht mishin e pagatuar gjatë shtatzënisë pasi ai rrit mundësinë e prekjes nga toksoplasmosa, një infeksion i krijuar nga paraziti me të njëjtin emër.

Djathërat e butë dhe gjysmë të butë: Kërkojmë ndjesë nëna, por gjatë kësaj faze nuk mund të konsumoni djathë Gorgonzola dhe Camembert pasi rrezikoni të prekeni nga listerioza.

Qumështi jo pasterizuar: Qumështi është shumë i rëndësishëm në regjimin e një gruaje shtatzënë, por vetëm ai i pasterizuar. Qumështi i papasterizuar përmban agjentë patogjenë të dëmshëm.

Vezët e gjalla: Shmangni konsumin e vezëve të gjalla pasi e bardha e vezës përmban avidinë, një substancë që pengon përhtithjen e vitaminës H.

Pijet alkolike: E dimë që ju tundon një gëllënjkë verë ose një kokteil me alkolin tuaj të preferuar, por duhet të prisni deri në fund të nëntë-mujorit. Konsumi i pijeve alkoolike mund të dëmtojë zhvillimin fizik të fetusit.

Coca- Cola: Coca-Cola nuk është e ndaluar plotësisht, por do të ishte mirë nëse e konsumoni në mënyrë të limituar pasi përmban ëmbëltues artificialë të pashëndetshëm.

Konservat me ton dhe peshk shpat: Mjekët nutricionistë dhe gjinekologë ndalojnë konsumin këtyre peshqve pasi kanë sasi të larta mërkuri.

Peshku i tymosur: Duhet ta evitoni këtë lloj peshku pasi përmban Listeria monocytogenes, një bakter shumë i rrezikshëm për shëndetin e nënës dhe fetusit. /Living