Internisti dhe nefrologu nga komuna e Vitisë, Feti Hetemi, i infektuar me COVID-19, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Lajmi është konfirmuar nga familja e tij, ku është bërë e ditur se Hetemi ka humbur betejën nga Covid-19 sot në mëngjes në QKUK ku po trajtohej që disa ditë, shkruan Gazeta Shneta.
“Të nderuar familjarë, shokë dhe miq, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë më i dashuri i ynë Dr.Feti Hetemi. Doki, edhe pse u sfidua në jetë nga shumë stuhi të natyrave të ndryshme dhe i përballoi ato kryelartë, sot ka humbur betejën me sëmundjen Covid-19. Ndjehemi të trishtuar nga kjo humbje, por më shumë se krenar që e patëm.Lamtumirë Dok, burrë fisnik që me shumë mund dhe sakrificë arrite në piedestalet e humanitetit dhe çështjes kombëtare, duke mos pushuar për asnjë moment me shpirtin tënd luftarak për të mposhtur padrejtësitë.Varrimi do të bëhet sot në ora 16:00 në varrezat e qytetit të Vitisë, duke i respektuar masat e IKSHPK-së”, thuhet në njoftimin e familjes.
Hetemi është mjeku i gjashtë që ka humbur jetën nga Covid-19 deri më tani në Kosovë. /Gazeta Shneta/