Ka ngritje të vetëdijesimit për parandalimin e duhanit

2017-02-24 në ora 08:54

Ligji për ndalimin e duhanit në hapësirat publike dhe të brendshme edhe pse nuk është duke u respektuar shumë, ai ka rritur vetëdijen qytetare për dëmin që shkakton duhani.

Arben Lila, anëtar i Kosovo Advocacy and Development Centre (KADC), ka bërë me dije se Kosova është pranuar në Rrjetin Evropian për parandalimin e duhanpirjes. Ai ka thënë se ligji për ndalimin e duhanpirjes është një ligj i mirë.

“Prej fillimit ky ligj ka pasur përkrahje nga qytetarët. Është një ligj që ka gjet përkrahje tek qytetarët. Sot në shumë shtëpi kosovare nuk po pihet ku ka fëmijë”, ka thënë ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizion e Kosovës (RTK).

Lila ka thënë se ka rritje të vetëdijesimit për ndalimin e duhanit. “Poenta e ligji është vetëdijesimi. Mendoj se ka rritje. Sot shikojmë, nuk pihet në banka, në spitale private. Pra ligji synon që të kemi parandalim dhe vetëdijesim. Pra varet prej menaxhimit”, ka thënë ai.

Lila ka thënë se pronarët e kafiterive duhet që të mos lejojnë të pihet duhani, pasi që është kancer. Ai ka deklaruar se duhet të ketë vetëdijesim për fëmijët që të mos pinë duhan, pasi që ata në moshë të re janë të pavetëdijshëm. Lila ka përmendur Komunën e Drenasit si shembull të mirë për respektim të ligjit.

“Në lokale ka filluar një ide që të pihet duhani deri në orën 10 në mëngjes, duhet të ketë kontroll më të mëdha nga inspektorët”, ka thënë ai. Lila ka bërë me dije se do të vazhdojë me fushatën për të rritur vetëdijesim për parandalimin e duhanpirjes. “Ne synojmë që fëmijët tan në Kosovë, të rrisim vetëdijen tonë për fëmijët tanë që ata të jetojë si fëmijët në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë ai.