Kafshimi nga gjarpri, Ministria e Shëndetësisë furnizon spitalet me serum

2017-07-07 në ora 12:59

Përveç pickimit nga rriqrat, qytetarët e Kosovës, veçmas banorët e vendeve rurale, rrezikohen edhe nga kafshimi i gjarprit. Ministria e Shëndetësisë ka thënë sikurse çdo vit tjetër edhe këtë vit ka bërë furnizimin e spitaleve me serumin “Tetabulin” kundër kafshimit të gjarprit.

Kështu ka thënë për Telegrafin, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë edhe këtë vit ka siguruar serumin kundër kafshimit të gjarprit. Janë diku rreth 100 serume që janë shpërndarë nëpër spitalet e përgjithshme. Gjysmën i kemi blerë ndërkaq gjysma tjetër ka qenë donacion”, ka thënë Hoti, duke shtuar kanë serume të siguruara edhe për vitin tjetër.

Ai ka treguar se krejt çka qytetarët duhet të dinë është se në rast të kafshimit nga gjarpri të shkojnë sa më parë në ndonjërin nga shtatë spitalet e përgjithshme apo në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Edhe drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani ka thënë për Telegrafin se në këtë klinikë ka sasi të mjaftueshme të serumit kundër kafshimit të gjarprit.

Ramadani ka treguar se në muajt maj dhe qershor ka pasur raste më të shumta të kafshimit nga gjarpri.

“Para dy muaj e gjysmë ka pasur një mungesë disa ditore, por aktualisht kemi një dozë të mjaftueshme të serumit. Kemi pasur raste më shumë në muajt maj dhe qershor, për dallim nga ky muaj”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se me këtë sasi të serumit që posedojnë do të mund ta kalojnë edhe muajin gusht. /Telegrafi/