Kanadaja miratoi të martën një vaksinë të përditësuar të Modernas për COVID-19 që synon variante të reja.
Kjo vjen pasi Shtetet e Bashkuara miratuan të hënën vaksinat Moderna dhe Pfizer që korrespondojnë me një nënlinje Omicron, raporton AFP përcjell Gazeta Shneta.
“Unë e di që ne të gjithë dëshirojmë që COVID-19 të mos ekzistonte më,” tha këshilltarja kryesore mjekësore e Health Canada, Supriya Sharma në një konferencë shtypi në Otava.
“Por njerëzit janë ende duke u infektuar dhe vaksinimi vazhdon të jetë një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur veten kundër rezultateve serioze duke përfshirë sëmundje të rënda, shtrimin në spital dhe vdekjen,” tha ajo.
Vaksina e përditësuar Moderna synon në mënyrë specifike nënvariantin Omicron XBB.1.5 dhe është miratuar për personat gjashtë muajsh e sipër.
Sharma tha se vaksina e rishikuar e Pfizer-BioNTech, si dhe një propozim për një vaksinë të përditësuar nga Novavax janë gjithashtu “duke u shqyrtuar në bazë prioritare”.
Shumica e kanadezëve kanë marr të paktën dy doza të një vaksine COVID, por mbrojtja zbehet me kalimin e kohës. Vetëm një numër i vogël kanë marrë dozë përforcuese deri më tani këtë vit.
Pas një sezoni të keq të viruseve të frymëmarrjes 2022-2023 që pa një kombinim të rasteve të gripit, COVID dhe RSV (virus sincicial respirator) që pushtuan spitalet, zyrtarët thanë se tani shpresojnë të shohin më shumë njerëz të përveshin mëngët për injeksione kundër gripit dhe COVID në muajt në vazhdim. /Gazeta Shneta/