Kardiokirurgu Dr. Arbër Kutllovci ka rrëfyer në detaje arsyet e largimit të tij nga Klinika e Kardiokirurgjisë në QKUK. Ai ka thënë se arsyeja kryesore është ambienti përçarës dhe diskriminues nga ana e shefit të repartit Dr. Adem Grbolar, të cilin e ka akuzuar për manipulim me lista të pacientëve si dhe disa akuza tjera të rënda
Kutllovci dhe kolegu i tij Dr. Raif Çavolli kanë dhënë dorëheqje nga klinika e Kardiokirurgjisë më 27 dhjetor 2019. Të dy kanë deklaruar se pengesat në punën profesionale janë arsyeja kryesore e dorëheqjes së tyre, shkruan Gazeta Shneta.
Kutllovci në një postim në profilin e tij në Facebook, ka bërë të ditur detajet pas vendimit të tij për largim nga klinika. Ai thotë se përçarjet dhe manipulimet e shefit Dr. Adem Grbolar, janë arsyeja kryesore e dorëheqjes.
“Ambienti përçares dhe morbid që është krijuar brenda Klinikes së Kardiokirurgjisë nga ana e shefit të saj (Adem Grbolar), ka qenë shqetesimi im kryesor. Mungesa e vendim-marrjes për rastet kardiokirurgjike dhe centralizimi i kësaj vendim-marrje vetëm tek shefi, -mungesa e listave operatore dhe manipulimi me to (superselektim i rasteve nga ana e shefit, njoftim për operacion disa orë para operimit,etj)”, ka shkruar Kutllovci në reagimin e tij.
Ai ka deklaruar tutje se Grbolar është paguar për kujdestari, ndonëse nuk ka mbajtur asnjëherë. Kutllovci ka thënë se ka pasur raste kur nuk i ishte caktuar asnjë rast për operim deri në 6 javë, ndërsa ia kanë lënë vetëm rastet e rënda e madje edhe kur ka shpëtuar pacienti i është kërkuar llogari “pse ka shpëtuar”.
Gazeta ka tentuar të marr një sqarim nga Grbolar për këto akuza nga Kutllovci, por ai nuk e ka hapur telefonin dhe nuk ka kthyer përgjigje në mesazhet telefonike.
Reagimi i plotë i Dr. Arbër Kutllovcit:
Të dashur miq,
Këto ditë janë bërë shkrime lidhur me dorëheqjen time nga Klinika e Kardiokirurgjisë, QKUK-së/SHSKUK.
Jam menduar gjatë se nëse duhet të qëndroj brenda kësaj Klinike për të cilen kam punuar çdo ditë dhe pa kursyer veten, apo të jap dorëheqje. Ambienti përçares dhe morbid që është krijuar brenda Klinikes së Kardiokirurgjisë nga ana e shefit të saj (Adem Grbolar), ka qenë shqetesimi im kryesor.
-mungesa e vendim-marrjes për rastet kardiokirurgjike dhe centralizimi i kësaj vendim-marrje vetëm tek shefi,
-mungesa e listave operatore dhe manipulimi me to (superselektim i rasteve nga ana e shefit, njoftim për operacion disa orë para operimit,etj),
-distribuimi jo-proporcional i rasteve si nga numëri ashtu edhe nga patologjia (rastet më të lehta për shefin e më të vështira për Arbërin, etj),
-keq-udhëheqja e Klinikes dhe presionet ndaj stafit duke përfshirë edhe mua,
-ka ndodhur që me një muaj shefi nuk më ka vendos rast për operim edhe pse kisha performancen më lartë profesionale,
-mos-marrje e përgjegjësisë profesionale nga ana e shefit (asnjë gadishmeri dhe asnjë kujdestari nuk e mban, ndërsa si duket është paguar për to),
-njoftimi im që i kam bërë udhëheqjes së kësaj Klinike dhe mos marrja e asnjë mase, më ka bërë që të vendos të largohem nga Klinika e Kardiokirurgjisë.
Gjatë kësaj kohe kam punuar kështu:
-Rastet më të vështira.
-Herë herë nga 5-6 javë nuk kam operuar.
-Ato raste që kam operuar jam njoftuar në ora 18:00 apo 22:00 se të nesermen do ta operoj X-pacientin, ku shpeshë kanë qenë të pa-përgatitura si duhet për operim.
-Rastet që i kam operuar dhe nuk kanë guxuar ti operojnë (duke përshirë edhe shefin) dhe kanë qëndruar me muaj në Klinikë, kanë kërkuar raport nga unë “pse ka shpëtuar pacienti pas operimit”!?!?
Unë jam Kirurg dhe vendi i punës time është salla e operacionit.Nëse unë nuk operoj në një Klinikë duhet të gjej vendin se ku duhet të operoj, ku duhet të ofroj shërbimet e mija.
Jam i vetdijshem që ka tendenca të minimizimit të kësaj pune, por e vërteta është kjo!
Normal që unë do të angazhohem në ndonjë institucion për të kryer punen e Kardiokirurgut, sepse unë nuk “tredhi miza”, por operoj zemren!
P.S.
Ky është reagimi im i fundit lidhur me këtë situatë!