Kardiokirurgët e QKUK-së zëvendësojnë valvulën aortale me metoda minimale invazive

2018-08-20 në ora 10:48

Ekipi i mjekëve të Klinikës së Kardiokirurgjisë kanë arritur që të kryejnë një intervenim për zëvendësimin e valvulës aortale me metoda minimale invazive. Ky shërbim është kryer për herë të parë në këtë klinikë tek një pacient 57-vjeçar.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, pacienti ishte me stenozë dhe insuficiencë të valvulës aortale. Ndërrimi i valvulës aortale me valvulë mekanike aortale është realizuar përmes një incizioni prej 5 cm dhe mini-sternotomi.

Kjo metodë sipas mjekëve mundëson më pak humbje gjaku tek pacienti, rrezik më të ulët për infeksion si dhe më pak traumë e dhimbje, transmeton Gazeta Shneta.

Lexoni më poshtë njoftimin e plotë:

Kardiokirurgjia fillon zëvendësimin e valvules aortale me metoda minimale invazive

Ekipi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar aplikimin e metodave minimale invazive për zëvendësimin e valvulave të zemrës.

Për herë të parë në QKUK tek pacienti i moshës 57 vjeçare me stenozë dhe insuficiencë të valvules aortale, përmes një incizoni prej 5 cm dhe mini-sternotomi realizohet ndërrimi i valvules aortale me valvulë mekanike aortale.

Operimet e tilla mundësojnë që prej një incizioni minimal dhe hapje minimale të sternumit të realizohet ndërrimi i valvulave të zemrës dhe realizohen edhe nëpër qendra të mëdha kardiokirurgjike. Për realizimin e tyre kërkohet eksperiencë, mjete teknike dhe staf i përgatitur.

Benefitet nga kardiokirurgjia minimale invazive janë; më pak humbje e gjakut, risk i ulur për infeksion, më pak traumë dhe më pak dhembje, kohë e shkurtër e shtrimit në spital, përmirësim i shpejtë i shëndetit dhe kthim i shpejtë në aktivitete normale, prerje të vogël dhe vraga minimale.

Kardiokirurgjia në QKUK vazhdon të realizoj inovacione në fushën e Kardiokirurgjisë, duke kursyer para të buxhetit të Republikës së Kosovës për trajtime jashtë vendit.