Kardiokirurgu Kojqiqi flet për çarjen e aortës, nga e cila vdiq studenti L.Gj.

2018-09-26 në ora 16:02

Vetëm dy ditë para se studenti 23-vjeçar L.Gj. të ndërronte jetë në Kardiokirugji të QKUK-së nga çarja e aortes, një kardiokirurg i njohur Fatos Kojqiqi, ka folur për këtë sëmundje në RTK. Në postimin e tij në Facebook, Kojqiqi thotë se “kjo sëmundje kërkon diagnostikim, intervenim të shpejtë, trajtim adekuat në sallë operative me Makinë extrakorporale dhe mbi të gjitha profesionalizëm”

Kojqiqi thotë se çarja apo disekcionet e aortës, është një sëmundje shumë e rrezikshme që ka të bëjë me plasjen e sistemit të arterieve. “Arteriet ose enët e gjakut janë të përbëra prej disa shtresave dhe te kjo sëmundje kemi të bëjmë me çarjen e shtresës së brendshme. Në atë moment gjaku kalon nëpër këto shtresa dhe mbahet nga një shtresë e hollë vetëm 1 milimetër dhe rrezikshmëria e pëlcitjes së saj është shumë e madhe e cila pastaj ka vdekshmëri shumë të madhe”, thotë Kojqiqi.

Ai shton se kjo sëmundje nuk paraqitet shumë shpesh dhe sipas statistikave del tek 3 deri 5 raste në 100 mijë banorë. Sipas tij, vdekshmëria është rreth 40 për qind në momentin kur shfaqet sëmundja, transmeton Gazeta Shneta.

“Është interesante se kjo sëmundje paraqitet më së shpeshti në vjeshtë, dimër dhe pranverë. Në gusht dhe korrik fare ose shumë rrallë. Nuk dihet pse ndodhë kjo”, thotë mjeku.

Ai deklaron se faktori kohë është shumë i rëndësishëm për këtë sëmundje. Në momentin e paraqitjes, pacienti do të ketë dhimbje të forta sikurse e përshkruajnë vet pacientët, sikur të ishte therje me thikë.

“Fatkeqësisht nuk ka simptoma, është sëmundje e cila shfaqet spontanisht. Te një pjesë e madhe e pacientëve shfaqet gjatë aktiviteteve fizike, kur kemi të bëjmë me lëvizje të tensionit. Sa i përket ditës, paraqitet më së shumti në orët e para të mëngjesit”.

“Pjesa më e madhe e pacientëve bëjnë jetë normale, por sëmundja paraqitet edhe në rastet gjatë ndonjë shqetësimi. Faktorët e rrezikut dihen sikurse është tensioni i lartë, por edhe duhani, drogat si heroina. Mirëpo tensioni i gjakut është faktori kryesor”.

“Zakonisht paraqitet te mosha e mesme nga mosha 30 deri 50 vjeçare”.

Kojqiqi thotë se sëmundja paraqitet me dhimbje shumë të forta dhe ta padurueshme. Problemi më i madh është te diagnostikimi i sëmundjes, sepse këto dhimbje janë pothuajse të njëjta me sulm në zemër.

Rrezikshmëria tek operacionet me këtë sëmundje është shumë e lartë. Kojqiqi thotë se në vitin 2016-2017 janë operuar 27 pacientë në Kosovë me këtë sëmundje dhe vdekshmëria ka qenë 23 për qind.

Më poshtë mund ta ndiqni videon e plotë të intervistës së Kojqiqit. /Gazeta Shneta/