E pa dhe e trajtoi vetë një pacient që kishte udhëtuar nga Izraeli për të bërë transplant të veshkës në Kosovë. Kardiologu, tash në cilësinë e dëshmitarit, Masar Gashi dëshmoi të mërkurën para trupit gjykues të EULEX për rastin “Medicus”. Gazeta Express ka përcjellë gjykimin e mjekëve, urologut Lutfi Dervishi dhe anesteziologut Sokol Hajdini, të cilët akuzohen se kanë kryer transplantim ilegal të veshkave në Kosovë bashkë me disa mjekë të huaj, përfshirë edhe urologun turk Yusuf Sonmez, i njohur si “Dr. Vampiri”
Pacienti i fundit që u trajtua në këtë klinikë për transplantim të veshkës, pas mbylljes së “Medicusit” në vitin 2008, i ra në dorë kardiologut, sot dëshmitarit Masar Gashi që të kujdesej për të. Pacienti, Bezalel Shafran, me prejardhje nga Izraeli iu nënshtrua operacionit për transplant të veshkës në klinikën “Medicus”. Këtë operacion, Shafran kishte dëshmuar se e ka kryer Lutfi Dervishi, i dënuari me 8 vite burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kardiologu dhe profesor i kardiologjisë, tash në pension, dr. Masar Gashi, ka dhënë të mërkurën dëshminë e tij para trupit gjykues të EULEX për rastin. Gashi tha se në vitin 2008 ai ka punuar si kardiolog në këtë klinikë, por në të njëjtën kohë ka punuar edhe në QKUK në po të njëjtën fushë.
Gazeta Express po vazhdon ta përcjellë rastin “Medicus”, duke raportuar për dëshmitë e dëshmitarëve për raportet e tyre me mjekët e dënuar dhe zhvillimet në klinikën famëkeqe të Vushtrrisë në kohën për të cilën u zhvilluan hetime ndërkombëtare për transplant të paligjshëm veshkash.
Për punësimin e tij në “Medicus”, kardiologu rrëfeu se ka biseduar me kardiologun Daut Gorani, i cili ishte pjesë e stafit në “Medicus”, por edhe me të akuzuarin Lutfi Dervishi. Të pranishëm në seancën e së mërkurës ishin të akuzuarit Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini, por edhe përfaqësuesja e palëve të dëmtuara, Saranda Keçekolla. Kjo e fundit nuk pati pyetje për dëshmitarin Gashi, por dëgjoi me vëmendje dëshminë e tij.
Masar Gashi
“Kolegu im, Daut Gorani ka folë me Lutfi Dervishin që të më jepej mundësia ta përdor makinerinë koronarografike të ‘Medicusit’. Dr. Dauti ka bërë marrëveshje, ai me ka thirr më shku në ‘Medicus’”, tregoi Gashi, pasi sipas tij, në atë kohë në QKUK nuk ka pasur aparat të koronarografisë. “Kam qenë i interesuar që ato që i kemi mësu mos t’i harrojmë, por t’i praktikojmë diku, dhe për atë arsye kemi kërku vend ku me punu”.
Gashi tregoi se në “Medicus” ka punuar rreth 1 vit bashkë me shtatë kardiologë të tjerë; Daut Gorani, Agim Krasniqi dhe disa të tjerë, me të cilët ka punuar derisa është mbyllur klinika, shkruan Gazeta Express.
Shërbimet të cilat i kanë kryer kardiologët në “Medicus”, Gashi tha se ishin kryesisht kontrolle koronarografike dhe, nëse ka pasur nevojë, kanë bërë edhe implantim të stentës, mirëpo tha se asnjëherë nuk ka kryer operacione kardio-kirurgjike.
Sipas aktakuzës të siguruar nga Express, Gashi më 29 qershor të vitit 2010, kishte dëshmuar se ai ka zëvendësuar në “Medicus” disa kardiologë që ishin nga Gjermania, kontratat e të cilëve kishin përfunduar. Për këtë çështje, ai u pyet edhe sot nga prokurorja e EULEX, Valeria Bolici.
Gashi, 7 vite pas dëshmisë së tij të parë, tha se ekipi gjerman ka kryer edhe operacione kardiologjike. Ai tregoi se në klinikën “Medicus” ka punuar në katin e parë. Aty ka kryer incizime koronarografike, EKG dhe ultrazërin. Kurse, pacientët të cilëve iu kishte kryer shërbime dr. Gashi, tha se kanë qenë selektiv dhe pas trajtimit mjekësor ata janë dërguar në dhomat që kanë qenë në repartin e kardiologjisë, në dhomën e pacientëve.
Pas kësaj, prokurorja i kërkoi dëshmitarit që ta vizatojë një skicë të katit ku ka punuar, në mënyrë që dëshmia e tij të jetë më e qartë. Skicën e Gashit, gjyqtarja e EULEX e shënoi si provë në këtë gjykim.
Pacienti i fundit që kishte kryer transplant të veshkës në klinikën “Medicus”, ishte trajtuar për një javë në QKUK nga vetë Masar Gashi. Dëshmitari tregoi se pacienti ishte nga Izraeli dhe u trajtua në dhomën VIP në QKUK. Gashi gjithashtu tha se përmes plagëve që ia ka parë pacientit dhe përmes informatave që i ka marrë, ka kuptuar se izraeliti ka pranuar një veshkë. Aktakuza thotë se pas trajtimit mjekësor, ky pacient u transferua për në Izrael.
Masar Gashi më 2010’ën kishte identifikuar Bezalel Shafran nga fotografitë si personin që ka pranuar një veshkë.
“Pacienti ishte drejtor i një shkolle në Rumani, por ai ka jetuar në Izrael. Fillimisht nuk i kam pas dokumentet mjekësore që ta di se çfarë lloj operacioni është kryer në të, por me ndihmën e nefrologut kam kuptuar se pacienti ka pranuar një veshkë”, dëshmoi të mërkurën Gashi.
Ai tha se izraeliti ka qenë në gjendje të mirë kur është dërguar në QKUK nga klinika “Medicus”. Fillimisht, tregoi ai, në QKUK kanë kundërshtuar pranimin e tij, pasi ky rast nuk i ka takuar klinikës interne ku kardiologu ka punuar, por ai ka angazhuar edhe mjekë të tjerë që të kujdesen për të, duke përfshirë edhe nefrologun Ymer Elezi.
Kush është Bezalel Shafran? (shpjegim nga aktakuza e ngritur nga Prokuroria e EULEX)
“Gjatë bastisjes së objektit të Klinikës “Medicus”, hetuesit e policisë së Kosovës kanë identifikuar një pacient mjekësor, Bezalel Shafranm (19.03.1934), një shtetas i Izraelit, në kujdesin post operativ.
Policia e Kosovës më parë e ka identifikuar Shafran si një person i përfshirë në lidhje me hetimin e “Medicus”. Sipas këshillës së mjekëve të kualifikuar, Policia e Kosovës e transferoi Shafran në Spitalin e Prishtinës për trajtim mjekësor dhe kujdes të mëtutjeshëm”.
Anëtarja e trupit gjykues të EULEX, Roxane Comsa pyeti dëshmitarin se si e ka konstatuar që personit i është kryer transplanti i veshkës. Gashi tha se trajtimin mjekësor të pacientit e ka bërë në bazë të informatave të dhëna nga nefrologu dhe në baze të kontrollit që ia ka bërë pacientit Bezalel Shafran.
“Me pacientin kam bisedu në gjuhën angleze. Ai më ka treguar se ka pas transplantim të veshkës”, tha kardiologu, derisa shpjegoi se në dhomën ku izraeliti ishte mbajtur, ai ka qenë i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.
Sipas asaj se çfarë i ka thënë Shafran Gashit, ky i fundit tregoi se shtetasi i Izraelit ka paguar për të bërë transplant të veshkës, por që sot pas 7 viteve nuk i kujtohej se cila ishte shuma e saktë.
Aktakuza të cilën e posedon Gazeta Express, tregon se shtetasi i Izraelit ka paguar 9 mijë euro dhe jep detaje se si Bezalel Shafran ka arritur në Kosovë për të kryer transplant të veshkës. Shafran gjithashtu ka treguar se kush e solli atë në Kosovë dhe me kë u takua në Aeroportin e Prishtinës.
Sipas deklaratës së pacientit dhënë Policisë Ndërkombëtare të Misionit të Administratës së Përkohshme në Kosovë (PN-UNMIK), më 30 tetor të 2008’ës ai kishte udhëtuar për në Kosovë për të pranuar një veshkë.
Shafran ka dëshmuar se Lutfi Dervishi e ka njoftuar edhe me donatorin e veshkës, emri i të cilit në aktakuzë është shkruar si Altun.
Deklarata e dëshmitarit Bezalel Shafran, sipas aktakuzës:
“Më 11 tetor, Bezalel Shafran, shtetas izraelit, ka dhënë deklaratën e tij Policisë Ndërkombëtare (PN) të Misionit të Administratës së Përkohshme në Kosovë (UNMIK).
Në deklaratën e tij dhënë PN të UNMIK’ut, Shafran pohonte se ai ka udhëtuar në Kosovë me qëllim të pranimit të një veshke nga një donator i panjohur, në shkëmbim prej 9 mijë euro. Shafran u diagnostikua me sëmundje të veshkës në vitin 2006. Kushërinjtë e tij që jetonin në Stamboll e këshilluan Shafranin se një klinikë në Kosovë do të kryej transplantimin e veshkës për 9 mijë euro. U bë pajtimi që këto mjete të paguhen me deponim në llogarinë bankare në Turqi pas operacionit të transplantit të veshkës. Shafranit i janë marrë mostrat e gjakut të tij për të bërë analiza në Turqi.
Më 30 tetor, Shafran ka udhëtuar për në Kosovë për të pranuar një veshkë nëpërmes të operacionit të transplantit të organit në klinikën “Medicus”. Shafran ka udhëtuar në Prishtinë prej Stambollit së bashku me bashkëshorten e tij, Ester Shafran (05.08.1937) dhe djalin e tij, Michael Shafran (21.08.1958) 59-vjeçar.
Me ardhjen në Aeroportin e Prishtinës, Shafranin e takoi kushëriri i tij i dytë, Harel, dhe një person i tretë, Arban Dervishi. Shafran dhe Harel u takuan me një të punësuar të klinikës “Medicus” i cili iu dha dokumentet për zyrtarët e kontrollit të pasaportave. Pastaj, Shafran u transferua me automjet në klinikën “Medicus”.
Me të arritur në klinikën “Medicus”, Lutfi Dervishi e përshëndeti Shafranin. Ai i tha Shafranit se ai do të jetë përgjegjës për operacionin e transplantimit të veshkës. Dervishi e njoftoi Shafranin me Altunin, donatorin e veshkës.
Me 30 tetor, Shafran u pranua në klinikën “Medicus” për kujdes para-operativ. Të punësuarit e klinikës “Medicus” kanë kërkuar nga Shafran dhe Altun që ta nënshkruajnë një deklaratë (me përkthime shqip, turqisht dhe hibru) se transplantimi i veshkës ishte vetëm për qëllime humane, pa pagesë për transplantimin e veshkës ose të operacionit, Michael Shafran ia ka lexuar babait të tij deklaratën, para se Shafran ta nënshkruante atë.
Më 31 tetor, Shafran, në orën 12:00, u dërgua në dhomën e operacionit të klinikës “Medicus” që të përgatitet për operacionin. Ekipi i operacionit përfshinte Yusuf Sonmez, Lutfi Dervishin, Kenan Dermirko, shtetas turk dhe bashkëkryes ndaj të cilit nuk është ngritë aktakuza.
Gjatë operacionit, organi (veshka) e hequr nga Altun u transplantua me operacion te Shafrani.
Lutfi Dervishi ka vizituar Shafranin çdo ditë dhe ishte përgjegjës për kujdesin e tij post-operativ në klinikën “Medicus”, dhe në vazhdim, në Spitalin e Prishtinës. Sonmez e lëshoi klinikën “Medicus” dhe u kthye në Stamboll brenda një ose dy ditëve prej operacionit.
Më 7 nëntor, Lutfi Dervishi e këshilloi Shafranin se gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë dhe se Shafran do të kthehet në Izrael të nesërmen.
Me ose rreth 18 nëntorit, Shafran lëshoi Kosovën dhe u kthye në Izrael”.
Dëshmia e parë e dr. Masar Gashit lidhur më këtë çështje, përfshin edhe një analizë të cilën Gashi e ka kryer në “Medicus”. Gashi kishte kryer analizën angiogram te disa pacientë. Për pacientët që kishin nevojë për operacioni, Gashi u referonte atyre të shkojnë në Maqedoni, Shqipëri dhe Turqi, shkruan Express.
Kjo është dëshmia e dr. Masar Gashit, e dhënë më 29 qershor 2010
Gashi ka punuar si kardiolog në Klinikën “Medicus” për dy vite, para se të mbyllej. Atij iu ka afruar Lutfi Dervishi për të zëvendësuar kardiologët nga Gjermania, kontratat e të cilëve kishin përfunduar.
Ai ka kryer angiograme dhe pastaj i referonte pacientët në Maqedoni, Shqipëri dhe Turqi nëse ata kishin nevojë për operacion.
Klinika “Medicus” nuk kishte kapacitete që të ndërmerr operacionet kardio-kirurgjike pasi që mjekët e Gjermanisë u larguan.
Pacientet i paguanin atij 150 euro për një angiogram, një shumë e kësaj i jepej Arban Dervishit, ashtu që të këtë leje për të përdor makinën e angiogramit.
Ai ka identifikuar Bezalel Shafran nga fotografitë si personin që ka pranuar një veshkë të transplantuar. Ai e ka trajtuar atë pas operacionit përafërsisht për një javë, dhe pastaj pacienti u transferua në Izrael.
Gazeta Express në vitin 2014 ka bërë një hulumtim për këtë ekip famëkeq të “Medicusit”, ku tregoi detajisht për operacionet dhe për punëtorët e kësaj klinike.
Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Por më pas, Gjykata Supreme e kishte hedhur poshtë këtë vendim dhe kishte kërkuar që rasti të shkojë në rigjykim. Dervishi dhe Sokoli ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008./GazetaExpress/