Katër nga 10 komuna në vend nuk kanë biokimistë, QKMF-të kryejnë analiza vetëm me laborantë

2022-07-25 në ora 19:22

Kujdesi Parësor Shëndetësor në Kosovë ka nevojë për personel shëndetësorë në përgjithësi duke nisur nga mjeku familjarë e deri tek biokimistët, të cilët janë të rëndësishëm për laboratorët e secilës qendër mjekësore.

Gazeta Shneta ka kontaktuar dhjetë drejtorë të Qendrave Kryesore të Mjekësive Familjare dhe prej tyre katër qendra nuk kanë pasur fare biokimistë në laboratorët e tyre – në të cilën bëhen analizat e pacientëve.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Lipjanit laboratori funksionon pa asnjë biokimist madje kur kjo qendër ka hapur konkursin për biokimistë nuk ka konkuruar asnjë person.

Drejtori i kësaj qendre, Agim Krasniqi, sqaron se në laboratorin e QKMF-së janë 12 laborantë të cilët kryejn shërbimin e analizave për të gjithë pacientët e kësaj ane.

Në po të njejtën situatë është edhe Kujdesi Parësor Shëndetësor në Junik. As kjo QKMF nuk ka biokimist ndërsa ka vetëm një teknik – laborant përmes së cilit bëhen analizat për pacientët.

Nga QKMF në Junik në atë të Kaçanikut, në të cilën tash e pesë vite analizat bëhen pa mbikqyrjen e biokimistëve pasi që kjo qendër nuk ka një të tillë.

“Prej vitit 2017 nuk kemi biokimist. Kemi pas më herët mirëpo kur e ka kry specializimin ka ardh ka punu rreth katër vite e tash punon në QKUK”, bënë të ditur drejtori i kësaj qendre Sinan Zeneli për Gazetën Shneta ndërsa thekson se janë katër laborantë.

Ai madje shprehet i shqetësuar edhe për mungesën e mjekëve familjar në këtë komunë e për të cilin thotë se Kujdesi Parësorë në këtë komunë ka nevojë për rreth tetë mjekë familjarë në mënyrë që të ofrohen shërbime sa më të mira për pacientët ndërsa janë vetëm katër të tillë.

Zeneli sqaron se në këtë qendër bëhen rreth 20 lloje të analizave ndërsa shton se me furnizime qëndrojn mirë.

Që nga premtja edhe QKMF në Mitrovicë të Jugut hynë në mesin e qendrave me mungesë të biokimistëve. Në këtë institucion shëndetësor për rreth 10 vite ka punuar një biokimist mirëpo ai ka vendosur që të dorëhiqet nga kjo pozitë për të vazhduar punën si biokimist në ndonjë laboratorë privat për shkak të kushteve më të mira të punës.

Drejtori i kësaj qendre, Fevzi Sylejmani, tha se janë duke planifikuar që të hapin konkurs për biokimist gjatë ditëve në vazhdim.

Ndonëse me mungesë të biokimistëve, Sylejmanin bënë të ditur se qëndrojn mirë me laborant. Ai bënë të ditur se në këtë qendër janë të punësuar rreth 20 laborantë si dhe pritet të shtohet numri i tyre.

Nga 10 komuna vetëm kryeqyteti ka më tepër biokimistë, tre të tillë, ndërsa drejtori i QKMF-së, Bujar Gashi, tregon se kanë në plan të shtojnë edhe një biokimist.

“Kemi nevojë për numër më të madh të biokimistëve dhe laborantëve. Planifikojmë të shtojmë një biokimist dhe dy laborantë”, bëri të ditur ai për Gazetën Shneta ndërsa thekson se aktualisht kanë 37 laborantë.

Gashi thekson se me furnizime qëndrojnë mirë – QKMF-të furnizimin për analiza e bëjnë direkt nga komuna përkatëse.

Në muajin shtator të këtij viti në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjakovës pritet të filloj punën një biokimiste kështu kjo qendër do të bëhet me dy biokimistë, pasi që aktualisht është vetëm një dhe gjashtë laborantë.

“Kemi plan me hapë një laborator të ri në fshatin Cërrnjak. E kemi në Ponushevc, në Rugovë dhe tash mendojm edhe në Cërrnjak”, tregon drejtori i QKMF-së, Arben Kolshi në një prononcim për Gazetën Shneta.

Ai thekon se gjatë këtyre dy viteve të fundit kanë qenë të mbingakuar nga punë për shkak të pandemisë COVID-19, ndërsa potencon se në këtë qendër bëhen rreth 28 lloje të analizave.

Me një biokimist dhe 16 laborantë funksionin QKMF në Ferizaj.

Drejtoresha e kësaj qendre, Nadire Ymeri, potencon se kanë për qëllim të funksionalizojnë laboratorë edhe nëpër QMF e për të cilën ajo thekson se kanë nevojë për staf shtesë.

“Objektiv i yni është të funksionalizojmë laboratoret në QMF-të nëpër fshatra,për çka nevojitet staf shtesë”, bënë të ditur ajo.

Shtatë laborantë me kontrata të rregullta dhe dy të tjerë në kuadër të Organizatës Joqeveritare “Caritas” janë të punësuar në QKMF-në e Gjilanit, të cilët mbikqyren vetëm nga një biokimist.

Arbenita Hajdari e cila menaxhon këtë qendër thotë se dy laborantëve të cilët punojnë në kuadër të “Caritas” ju përfundon kontrata në fund të këtij muaji.

QKMF në Obiliq funksionon me vetëm një biokimist dhe katër laborantë.

“Për momentin janë të mjaftueshmë mirëpo e kemi edhe qendrën e mjekësisë familjare në Milloshevë me dy ndërrime edhe atje i kemi mundësit me bo edh elaborator biokimik dhe hematologjik”, bënë të ditur drejtori i kësaj qendre Haki Jashari.

Kujdesi Parësorë Shëndetësorë në Drenas ka shtatë laborantë dhe një biokimist.

Institucionet shëndetësore në vend kanë mungesë të theksuar të biokimistëve. Gazeta Shneta ka raportuar ditë më parë për mungesën e biokimistëve si dhe dorëheqjen e tyre nga puna në institucionet shëndetësore publike në atë private për shkak të kushteve më të mira. /Gazeta Shneta/

Pandemia e ka shndërruar biokiminë në biznes, laboratorët privat i lënë pa biokimistë spitalet publike