“Kavaja” është spitali privat i ‘pasditës’ për shumë kirurgë dhe mjekë të profileve tjera të cilët punojnë në QKUK ose spitale rajonale.
Shumë kirurgë të Qendrës Klinike Universitare, shefa të reparteve e madje edhe drejtorë të klinikave, pasi e përfundojnë orarin, në mos edhe më herët, marrin rrugë në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, shkruan Gazeta Shneta.
Destinacioni i tyre është Spitali “Kavaja” i cili është nën pronësinë e Burhan dhe Erzen Kavaja, ndërsa drejtor Floren Kavaja. Ky i fundit punon si kirurg në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.
Spitali “Kavaja” në mesin e kirurgëve njihet ndryshe si “Spitali i pasdites”.
Në këtë spital punojnë shumica e kirurgëve të kësaj klinike ku kryejnë operacione dhe vizita specialistike. Të gjithë këta punojnë me përqindje që sipas burimeve të Gazetës Shneta, mjekët marrin përqindjen më të lart në tregun e sektorit privat, rreth 60 për qind të kostos së pacientit.
Mjekët e kanë të lejuar të punojnë në sektorin privat pasi të kryejnë orarin e tyre në spitalet publike. Ka edhe shumë mjekë të tjerë që punojnë edhe në spitale të tjera private ose në ordinanca të tyre.
Gazeta ka kërkuar disa sqarime nga Spitali “Kavaja” për numrin e kirurgëve që punojnë aty dhe orarin e tyre. Poashtu janë pyetur edhe për mundësinë e konfliktit të interesit pasi drejtori i këtij spitali punon edhe në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK.
Por nga ky spital nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës të dërguara në adresën elektronike. /Gazeta Shneta/