KE i vë kusht Qeverisë për financimin e filtrave të ri për Kosovën B

2018-02-09 në ora 10:28

Për dhënien e donacionit prej 37 milionë eurove për ndërrimin e filtrave të Termocentralit Kosova B, Komisioni Evropian i ka vënë kusht Qeverisë së Kosovës që të mos privatizojë më shumë se 49 për qind të aksioneve

Gjatë stinës së dimrit qytetarët e kryeqytetit po përballen me ndotje të lartë të ajrit, saqë Prishtina zuri vendin e parë në botë. Disa aktivistë organizuan protestë kundër ndotjes, ndërsa komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit ndaluan qarkullimin e veturave në qendër të kryeqytetit për dy ditë radhazi.

Ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, gjatë një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, tha se ndotja më e madhe në kryeqytet po vjen nga Termocentrali Kosova B. Ajo deklaroi se filtrat e këtij termocentrali nuk janë ndërruar që nga viti 1985, shkruan Gazeta Shneta.

Kuvendi miratoi edhe një rezolutë në pikën e tretë të së cilës kërkohet që KEK-u të vendos elektrofiltrat e cilësisë së duhur deri në fund të vitit kalendarik 2018. Por një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë.

Për ndërrimin e filtrave të Kosovës B, Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke kërkuar grante dhe kredi nga institucionet e BE-së.

E për të marr një grant prej 37 milionë eurove, Gazeta Shneta merr vesh se Komisioni Evropian ka kërkuar nga Qeveria që të zotohet se nuk do të privatizojë më shumë se 49 për qind të aksioneve.

Ky kusht është konfirmuar edhe nga MZHE, për ç’gjë thonë se është lëshuar fletzotimi nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Një zotim i tillë është bërë me shkresë zyrtare nga Kryeministri drejtuar Komisionit Evropian, duke i hapur rrugën thithjes se donacionit prej 37 mil euro, i premtuar nga ky institucion”, thotë në një përgjigje Divizioni për Komunikim me Publikun i MZHE-së për Gazeta Shneta.

Komisioni Evropian poashtu ka kërkuar nga Ministria e Financave që të marr përsipër obligimin për të financuar pjesën tjetër të kostos për ndërrimin e filtrave.

“Ministri Valdrin Lluka në koordinim me Ministrin e Financave z. Bedri Hamza, ka dërguar në Komisionin Evropian zotimin për pjesën tjetër të financimit që duhet të sigurohet nga buxheti i Kosovës. Ministria e Financave është duke biseduar me institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe BERZH për mundësinë e sigurimit të pjesës se financimit që ka marr si zotim Qeveria e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MZH-së.

Kjo ministri deklaron se është duke respektuar afatet për marrjen e grantit nga KE.

E derisa të ndërrohen filtrat, prishtinasit do të vazhdojnë të përballen me ndotje të ajrit nga tymi që del nga oxhaku i Termocentralit Kosova B. Kjo ka bërë që të shtohen edhe viruset, çka ka rritur edhe numrin e pacientëve në QKUK e sidomos në Klinikën e Pediatrisë. /Gazeta Shneta/