Keqpërdorimi i frytnimit të asistuar mjekësor ose ndryshe i njohur edhe si IVF, duke reklamuar në vende publike dhe joshur pacientët që nuk mund të bëjnë fëmijë në mënyrë natyrale, ka detyruar shtetin që të krijonte disa masa kundër kësaj dukurie.
Këto masa kanë ndëshkuar edhe njërin nga këto spitale private në vitin 2014, i cili nuk i ishte bindur Udhëzimit Administrativ 06/2013 ku sanksionohet reklamimi i IVF-së, shkruan Gazeta Shneta.
Spitali “Bahceci” në Prishtinë është dënuar me gjobë 15 mijë euro nga Inspektorati Shëndetësor në atë vit, pikërisht për shkak të reklamimit të IVF-së. Kjo është konfirmuar edhe nga vet ISH për Gazetën.
“Spitali privat “BAHCECI” në vitin 2014 eshte denuar me gjobe prej 15.000 eurove per shkak te reklamimeve te IVF-it”, thuhet në përgjigje. Megjithatë, ky spital është duke vazhduar reklamimin e frytnimit të asistuar dhe madje joshjen e çifteve duke shfaqur numrin e bebeve që kanë lindur nëpërmjet kësaj procedure në këtë spital. “Bahceci” bën marketing me IVF me postime të sponsorizuara në Facebook.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga Inspektorati nëse do të kryej ndonjë aksion kundër reklamimit të IVF-së nga institucionet private. ISH është përgjigjur se kjo dukuri është në shënjestër të tyre dhe se do të vazhdojnë aksionet kundër kësaj veprimtarie. /Gazeta Shneta/