Kërthiza mund të mbajë baktere nga vende që kurrë nuk i keni vizituar

2017-07-13 në ora 08:10

Duke mbledhë mostra të ADN-së nga kërthiza e njeriut, shkencëtarët amerikanë kanë zbuluar 1.400 kultura të baktereve, midis tyre edhe 662 lloje deri tani të panjohura.

Disa nga bakteret e zbuluara në kërthizë, janë aq të rralla, sa që mund të gjenden vetëm në oqeane, apo në disa regjione të Japonisë, transmeton “Fox News”.

Ekipi i kërkuesve shkencorë në kuadër të Projektit të llojllojshmërisë biologjike të kërthizës (The Belly Button Biodiversity Project), i cili ka nisur në Universitetin e Karolinës Veriore, ka zbuluar në kërthizat e vullnetarëve një numër të madh të kulturave të ndryshme të baktereve, nga të cilat gati gjysma deri tani kanë qenë të panjohura.

Qëllimi i projektit ishte që njerëzit të interesohen për mikrobiologji dhe që të zvogëlohet frika e tyre nga bakteret që shkaktojnë sëmundje, por ai zbuloi edhe një numër të madh informatash interesante.

Njëri nga pjesëmarrësit në studim, në kërthizën e të cilit janë gjetur baktere që zakonisht jetojnë vetëm në oqeane dhe në disa pjesë të Japonisë, ka deklaruar se kurrë nuk ka qenë në ato vende.