“Nga nënat-për nënat”!
Keni të qarta këto dy gjëra dhe më pas jeni në rregull
Gjatë ditëve të para pas lindjes fëmija do të flejë, hajë dhe defekojë, edhe më shumë nga sa e mendoni ju. Për këtë arsye është e nevojshme të qetësoheni dhe të përqendroheni në ushqyerjen dhe ndërrimin e pelenave, të tjerat mund të presin!
Nënat e zgjuara përdorin lakër
Nuk ka rëndësi nëse jepni më tepër gji apo qumësht me biberon, mund të vijë një moment që gjoksi juaj të jetë i fryrë dhe i gjakosur, dhe për pasojë edhe i dhimbshëm. Përpiquni të mbani një gjethe lakre në frigorifer dhe më pas e vendosni në gjoks për tu ndier më e lehtësuar. Mos harroni ta hiqni në momentin që ajo fillon të shkrijë pasi do të fillojë të vijë erë.
E bëni objektiv të veshurën
Në jetën para lindjes së fëmijës dita juaj mund të ishte e lodhshme ose jo, ndërsa tani shpesh herë mund të mos gjeni as kohën e duhur për tu veshur, qoftë edhe për një shëtitje. Për këtë arsye nënat këshillojnë që t’i jepni prioritet këtij fakti pasi edhe ju keni nevojë të ndieni e bukur, pavarësisht kohës të madhe që do t’ju marrë përkujdesja për fëmijën. Dhe ndërsa ai fle apo është i qetë mund të rregulloheni dhe më pas të filloni të vishni fëmijën tuaj.
Mos shkoni në asnjë vend pa një gushore
Është pikërisht ajo copë e vogël e cila është shumë e rëndësishme për të mbrojtur veshjet e fëmijës nga ushqimi dhe pështyma. Nuk duhet të dilni asnjëherë nga shtëpia pa një të tillë me vete edhe pse ndërkohë fëmija një mund ta ketë vendosur në qafë. Mund të ndodhë që ajo të bëhet pis apo të laget dhe për pasojë do t’ju duhet ta ndërroni.
Vlerësoni gjërat e vogla
Pas lindjes duhet të mësoni të vlerësoni edhe gjërat më të vogla, kjo pasi mund të ndodhë që një ditë të mos keni kohë as të hani një vakt në tavolinë, ndërsa një ditë tjetër mund të keni mundësi të shijoni një filxhan të ngrohtë me kafe, pasi keni harxhuar pak kohë për rregullimin e flokëve dhe të veshjes tuaj.
Pranoni ndihmën që dikush jua ofron
Nëse dikush ju ofron ndihmë pranojeni dhe mos u përpiqni të bëheni heroinë. Mos u përpiqni të bëni gjithçka vetë. Ju nuk keni nevojë të jeni një super mami, ju keni nevojë të jeni një grua, një nënë, një bashkëshorte, e cila ka qoftë edhe disa minuta të lira gjatë ditës për tu marrë me veten e saj.
Qetësohuni
Përpiquni që ndërsa fëmija fle të flini edhe ju. Kjo është një këshillë shumë e mirë, por shpesh mund të rezultojë gati e pamundur për tu zbatuar, duke qenë se atë kohë mund të përfundoni duke u marrë me shtëpinë. Edhe nëse nuk keni mundësi të flini pak gjumë përpiquni të çlodheni sadopak, të bëni një dush, të bisedoni me dikë në telefon.
Nuk po dëgjoj asgjë!
Të jeni të sigurta se me lindjen e fëmijës do t’ju vijnë në vesh shumë “këshilla”, të cilat ndoshta edhe nuk i keni kërkuar në asnjë moment. Do të dëgjoni si duhet ta ushqeni fëmijën, si duhet ta lani, si duhet të silleni e me radhë. Në të tilla raste buzëqeshni, injoroni ato këshilla që nuk ju pëlqejnë pa u futur në debat me personin që jua jep.
Prindërimi nuk është shkencë
Fëmijët nuk dalin nga barku bashkë me një manual përdorimi. Rritja e fëmijës nuk kërkon një formulë specifike, ju thjesht duhet të ndiqni rrjedhën dhe t’i përshtateni nevojave të fëmijës tuaj. Të jeni e sigurt se instikti i nënës është manuali më i mirë që do t’ju tregojë çfarë të bëni.
Krijoni një ekskortë me letra të lagura
Letrat e lagura janë një “dhuratë nga zoti”. Ato mund të pastrojnë gjërat që derdhen, sekrecionet e hundës, papastërtinë gjatë ndërrimit të bebelinës, duart e pista, fytyrën e fëmijës, pra padyshim janë një nga sendet më të rëndësishme të fëmijës, dhe për këtë sigurohuni t’i keni gjithmonë në cantë dhe në shtëpi.
Nuk ekziston ende çmimi “nëna më e mirë”
Mëmësia nuk është një garë. Nuk ekziston ende një medalje e cila do të tregojë më të mirën. Ju përpiquni të bëni më të mirën e mundshme për fëmijën tuaj, gjithsesi jeni nëna më e mirë në botë për fëmijën tuaj.
Mund edhe të qani
Ndonjëherë mund të kaloni një ditë shumë të lodhshme dhe stresuese. Dhe ndonjëherë mund të ndieni edhe nevojën për të nxjerrë emocionet tuaja duke qarë. Nuk ka asnjë gabim në këtë, jeni njeri dhe duhet të ndiheni të lira të shprehni atë që ndieni qoftë edhe duke qarë.
Çdo gjë kalon
Edhe pse në një moment mund të ndiheni sikur nuk do t’ja dilni kurrë duhet të dini se çdo gjë kalon. Me rritjen, fëmija bëhet më i pavarur, më i qetë, mund të kalojë edhe disa orë gjatë ditës duke luajtur dhe për pasojë ju do të jeni më e lirë. Për momentin përpiquni të mendoni sa më shumë të jetë e mundur pozitivisht në mënyrë që të mos stresoheni. Mos harroni një nënë e stresuar do të rritë fëmijë të stresuar.
Koha fluturon
Duket se javët dhe muajt e parë pas lindjes kalojnë shumë ngadalë, ku lodhja është bërë shoqëruese e pandashme. Mbani mend se koha kalon shpejt dhe këto ditë do të jenë një kujtim për ju. Bebet nuk qëndrojnë gjithmonë të vogla, një ditë do të ktheni kohën pas në kujtesën tuaj dhe do ta kuptoni se koha fluturon shumë më shpejt nga sa e keni menduar.