Meshkujt që duan të bëhen prindër dhe këtë nuk e arrijnë deri në një vit përpjekje, atëherë duhet të vizitohen tek urologu për të parë shkaqet. Kjo është koha kur merret në konsideratë infertiliteti. Këto janë këshillat e urologut Dr. Taner Yusuf.
Urologu i njohur në Spitalin ‘Lindja’ në Prishtinë, Dr. Taner Yusuf, thotë se roli i urologjisë në trajtimin e infertilitetit është i madh. Andrologjia është defa e cila merret me këtë problematik e cila i trajton edhe problemet seksuale tek meshkujt.
Dr. Yusuf, në një bisedë për Gazetën Shneta, shpjegon se shkaqet e infertilitetit përafërsisht 35 për qind gjenden tek meshkujt, po aq tek femrat, 20 për qind janë probleme të përbashkëta dhe rreth 10 për qind nuk dihen shkaktarët.
“Një çift i cili ka marrëdhënie intime të rregullta pa mbrojtje deri në një vit nuk llogaritet infertil. Pra nuk ka vend për panik nëse nuk arrihet shtatzënia pas disa muajsh sepse tolerohet deri në një vit kjo gjendje, normalisht nëse nuk gjendet ndonjë sëmundje e njohur ma herët që mundet me shkaktua infertilitetin”, thotë Yusuf.
Urologu thotë se faktor relevant është edhe mosha dhe për gratë është e preferuar që të planifikojnë shtatzëninë e parë para moshës 30-vjeçare, ndërsa nëse e tejkalojnë këtë moshë atëherë është mirë të lajmërohen tek institucionet shëndetësore ku trajtohet infertiliteti.
Zhvillimi i gjenitaleve tek meshkujt është me rëndësi qysh në ditët e para të ardhjes në jetë. Yusuf thotë se duhet të kontrollohen nëse gjenitalet janë të zhvilluara në mënyrë të duhur, pasi ndodh shpesh që mund të konstatohen anomali të testiseve.
“Testiset mund të ekzistojnë por të mos shihen sepse nuk janë të lëshuara në qeskën skrotale ku si zakonisht gjinden dhe leht mund të preken në pozitat normale. Madje mund të jenë prezentë por jo të zhvilluara në mënyrë adekuate”, shpjegon mjeku.
Një nga faktorët tjerë thotë ai, është patologjia e njohur si varikocela e cila nënkupton zgjerimin e venave të testiseve. Por këto probleme mund të zgjidhen me ndërhyrje kirurgjike.
Por shkaqet e tjera janë edhe faktorët e jashtëm, mënyra e jetesës, kushtet e punës, ushqimi, të cilat ndikojnë në paraqitjen e infertilitetit. “Jeta jo e balancuar me punë dhe pushim adekuat, mungesa e aktivitetit fizik është gjithnjë faktor rreziku. Puna në ambiente ku personi mbetet nën ndikimin e toksinave, industria e rënd, helmet, ngjyrat, nafta dhe përpunimi i saj”.
“Ushqimi i shpejtë dhe i konservuar në zonat urbane, i pashëndetshëm dhe me kimikate, përdorimi i duhanit gjithmonë është vlerësuar si një faktor rreziku dhe kohët e fundit ka dal në vendin e parë. Por edhe abuzimi me alkool ka ndikim negativ”, ka deklaruar mjeku.
Por të gjitha këto probleme mund të evitohen me kontrolla të rregullta tek mjeku. Infertiliteti në shumë raste mund të trajtohen me terapi medikamentoze, ndërsa në disa raste nevojitet intervenimi kirurgjik. Ndërkaq, shpjegon Yusuf, në kohën e fundit edhe metodat e fekondimit artificial kanë zhvillua një alternativë shumë të rëndësishme në trajtimin e infertilitetit. /Gazeta Shneta/