Kardiologu Gani Bajraktari është ankuar në Këshillin e Mediave të Shkruara ndaj një artikulli të publikuar në Gazeta Shneta.
Bajraktari ishte ankuar në lidhje me shkrimin “Të akuzuarit e rastit Stenta nderojnë me prezencë ‘EuroEcho 2017’ në Lisbonë”.
Në një shkrim katër faqësh, ai ishte ankuar rreth titullit dhe prezantimit të tij si i akuzuar në rastin “Stenta”.
Kujtojmë se kardiologu Gani Bajraktari është një nga mjekët që akuzohet në rastin “Stenta” si i dyshuar për marrje ryshfeti 21 mijë e 985 euro për referimin e pacientëve në spitalin privat International Medicine Hospital.
Ai dhe dhjetëra mjekë e zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë rast, dyshohet se dëmtuan buxhetin e shtetit mbi 4.5 milionë euro.
Pas këtij skandali, Bajraktari ishte suspenduar nga puna si Drejtor i Klinikës së Kardiologjisë. Madje ai është duke u hetuar nga Prokuroria edhe për një skandal tjetër.
Gjatë kohës sa Bajraktari udhëhiqte Kardiologjinë, dyshohet se ka porositur material shpenzues, stenta dhe bateri për zemër, më shumë sesa kishte nevojë.
Këtij materiali i kishte dalë afati i përdorimit pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria për skandalin e “Stentave”. Sipas një raporti të bërë për këtë rast, vlerësohet se buxheti i shtetit është dëmtuar për 200 mijë euro.
Për këtë rast Bajraktari ishte hetuar edhe nga SHSKUK-ja, ndërsa ato janë ndërprerë pasi rastin e ka marrë nën hetime Prokuroria e Shtetit.
Këshilli i Mediave të Shkruara nuk e ka miratuar ankesën e tij ndaj Gazetës Shneta.
“Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e sotme nuk miratoi ankesën e Dr. Gani Bjaraktari kundër portalit Shneta.com lidhur me artikullin “Të akuzuarit e rastit Stenta nderojnë me prezencën ‘EuroEcho 2017’” në Lisbonë. Portali nuk ka gënjyer se z. Bajraktari gjendet në listën e të dyshuarëve për rastin Stenta”, thuhet në njoftimin e Këshillit për vendimin e marrë.
Ndaj artikullit ishte ankuar edhe Dr. Ilir Bajraktari, i cili nuk është i përfshirë në rastin “Stenta”, por që ishte gjendur në fotografinë e njëjtë me të akuzuarit.
Redaksia e Gazetës Shneta ka sqaruar Këshillin e Mediave se ky ka qenë vetëm një lëshim teknik, duke mos e publikuar edhe legjendën nën fotografi për të saktësuar se për këtë bëhet fjalë, për çka i kërkon ndjesë z. Bajraktarit.
“KMShK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Ilir Bajraktarit kundër të njëjtit portal, pasi që edhe ai gjendet në fotografinë e publikuar të disa mjekëve të cilët kanë marrë pjesë në konferencën “EuroEcho 2017” në Lisbonë, por se nuk gjendet në listën e të dyshuarëve për rastin Stenta. Andaj, portali gazetashneta.net është dashur që këtë fakt ta paraqes edhe në tekstin e fotografisë”, thuhet në vendimin e KMSHK-së. /Gazeta Shneta/