Këtë vit s’do të lejohen fejesat e martesat me mysafirë, vetëm me familjarë të ngushtë

2020-04-30 në ora 17:54

Viti 2020 nuk do të jetë vit i dasmave madhështore të çifteve të reja për shkak të pandemisë Covid-19.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia gjatë një konference ku ka prezantuar masat lehtësuese pas datës 4 maj, shkruan Gazeta Shneta.

“Ky vit nuk është si çdo vit tjetër, e sa më parë që e kuptojmë aq më lehtë do ta kemi. Këtë vit ndoshta nuk do të kemi festime ditëlindjesh me miq; fejesa, ahengje dhe martesa me tubime e nuk do të kemi as ceremoni mortore me tubime. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të festojmë ditëlindjet, fejohemi dhe martohemi, por pa të ftuar e pa grumbullime”, ka deklaruar Vitia.

Ai ka thënë se një ceremoni mortore për një jetë njeri rrezikon jetën e dhjetëra të tjerëve, apo kurorëzimi i dashurisë së dy personave mund të kthehet në hidhërimin e qindra të tjerëve.

“Këtë virus nuk guxojmë ta neglizhojmë sepse na kushton me jetë. Ky vit do të jetë viti i distancës dy metërshe; i dorëzave e i maskave dhe i higjienës në maksimum. Sa më shpejtë që e kuptojmë këtë aq më të përgatitur do të jemi”, ka deklaruar ministri Vitia. /Gazeta Shneta/