Shenjat e para të shtatzënisë dallojnë nga njëra femër te tjetra si në bazë të shpeshtësisë, ashtu edhe ashpërsisë, por disa prej tyre janë më të shpeshta dhe më të pranishme te pjesa më e madhe e shtatzënave.
Ja pesë shenjat më të shpeshta të shtatzënisë:
Mungesa e menstruacioneve. Humbja e një periode është njëra nga shenjat më kryesore të shtatzënisë. Megjithatë nuk është definitive, sepse stresi dhe faktorë të ndryshëm mund të shkaktojnë çrregullimin e menstruacioneve.
Shkuarja e shpeshtë në banjë. Edhe para çrregullimit të menstruacioneve, shumica e femrave ankohen se shkojnë shpesh në banjë, madje zgjohen natën nga gjumi. Kjo ndodh kur embrioni vendoset në mitër dhe fillon prodhimi i hormonit të quajtur gonadotropina horionale humane dhe ky hormon nxit urinimin e shpeshtë.
Lodhja. Rraskapitja është shenjë e hershme e shtatzënisë. Lodhja është rezultat i nivelit të lartë të progesteronit.
Mundimi në mëngjes (apo gjatë ditës ose natën). Shumica e femrave që përjetojnë mundim në mëngjes e kanë këtë edhe gjatë gjithë ditës. Afër gjysma e tyre kanë vjellje, ndërsa një numër i vogël kanë mundim dhe të vjella të shumta që mund të shkaktojnë dehidrim dhe kequshqyerje.
Dhimbje në gjinj (dhe rritje të tyre). Një grua shtatzënë do të ketë gjinj shumë të ndjeshëm në prekje, ngjashëm me ato në kohën para menstruacioneve, mirëpo më të shprehur. Kur trupi mësohet me rritjen e hormoneve dhimbja do të qetësohet.
Nëse keni ndonjërin nga simptomat e lartëshënuara është mirë të bëni një test shtatzënie sa më shpejt që është e mundur.