Një nga lajmet më të mira që kanë ndodhur këtë javë është një donacion që do ta bëj ushtria italiane në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
KFOR-i italian ka bërë donacion kateterët venoz për fëmijët e sëmurë në këtë klinikë, si dhe do të mundësojë trajnimin e dy mjekëve pediatër në Pisa të Italisë për vendosjen e tyre, shkruan Gazeta Shneta.
Kateterët do t’ua mundësojnë fëmijëve që janë të shtrirë në klinikë, të japin gjak për analiza pa pasur nevojë t’iu shpohet trupi me dhjetra herë gjatë qëndrimit në spital.
Lajmin për këtë donacion e ka bërë të ditur Leonora Bajraktari nga organizata Cure2Children.
“Ne i urojmë suksese dy mjekëve nga ky repart që do të trajnohen në Pisa të Italisë për të gjitha procedurat mjekësore të nevojshme për realizim të projektit. Ne kemi qenë që 15 vite donatorë të përkushtuar për të mbuluar nevojat e repartit të fëmijëve dhe kujdestarëve të tyre”, ka shkruar Bajraktari në njoftimin e saj. /Gazeta Shneta/