Klinika e Kirurgjisë Torakale është rikthyer në gjendje normale, pas pezullimit të operacioneve për shkak të vdekjes së pacientëve, shkaku i të cilave dyshohet të jetë gazi oksidul.
QKUK-ja furnizohej me këtë gaz nga kompania “Bubeari Komerc”, e cila e prodhonte pa licencë në Kaçanik, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Saudin Maliqi, drejtor i klinikës Torakale, ka bërë të ditur se oksiduli është duke u zëvendësuar me një metodë e cila përdoret edhe në Bashkimin Evropian.
“Oksiduli është hequr nga përdorimi dhe pas këtij rasti tani po punojmë me një standard më të mirë”.
Ai ka treguar se në Kirurgji është vendosur sistemi i ajrit të komprimuar.
“Na janë dashur rreth 2 javë për të instaluar sistemet për ajrin e komprimuar, i cili është shumë i shëndetshëm, është i lirë dhe nuk ka asnjë rrezik sikurse oksiduli, të cilin Bashkësia Evropiane e ka hequr nga përdorimi”, ka deklaruar Maliqi.
Mjeku thekson se BE-ja nuk e përdor oksidulin pikërisht për shkak të efekteve në njerëz dhe kontaminimin që shkakton në sallat e operacionit.
“Tani gjendja është kthyer në normalitet të plotë dhe të gjitha sallat e operacioneve janë në funksion”, ka thënë ai.
Maliqi shtoi se pas 2 javë pezullimeve, lista e pritjes së pacientëve është rritur. /Gazeta Shneta/