Kirurgu i QKUK-së ofendon rëndë gazetarët, i quan “zagar” dhe “gra të këqija”

2018-09-24 në ora 13:00

Kirurgu i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Isber Ademaj, ka ofenduar rëndë gazetarët duke i quajtur me epitete “zagar” dhe “gra të këqija që merren me thashetheme”

Mjeku i Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Isber Ademaj, nuk i ka pritur fare mirë pyetjet e gazetarëve në lidhje me rastin e vdekjes së foshnjës katër muajshe. Pacienti Oltion Rashiti vdiq vetëm disa orë pas operacionit të dytë.

Gazetari i Gazetës Shneta, Bujar Vitija, gjatë ditës së sotme ka kontaktuar Ademajn për t’i kërkuar takim në lidhje me rastin e Oltion Rashtit. Vitija ka kërkuar të takohej në mënyrë që të merrte sqarime në lidhje me këtë rast, pas akuzave të babait për neglizhencë.

Ademaj ka refuzuar të flas për rastin duke kërkuar që të pritet raporti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa ka filluar me akuza e ofendime të rënda për gazetarët.

“Çka jeni bo kaq agresiv ndaj nesh. Jeni bo si zagar dhe gra të këqija që merren me thashetheme”, ka ofenduar mjeku Isber Ademaj.

Gazetari tutje ka ndërprerë komunikimin me mjekun, ndërsa ka njoftuar Zyrën e Drejtorit të SHSKUK-së për ofendimet e tij. Rasti po ashtu është raportuar edhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Redaksia e Gazetës Shneta dënon ashpër gjuhën e mjekut ndaj gazetarit Vitija. Redaksia konsideron se mjekët kanë përgjegjësi publike për të dhënë sqarime në lidhje me rastet e tilla. Ofendimet dhe kërcënimet nga ana e mjekëve nuk do ta ndalin punën e gazetarëve për të raportuar rastet e dyshimta në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gazeta ka raportuar sot për dyshimet e babait për vdekjen e djalit të tij 4 muajsh në QKUK. Ai ka dyshime të forta në neglizhencën e mjekëve. Rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës. /Gazeta Shneta/