Studiuesit në Kolegjin universitar të Londrës thonë se kanë gjetur një tregues të hershëm të kancerit fatal të gjirit, i cili mund t’u ndihmojë mjekëve të bëjnë diagnostikimin një vit para metodave aktuale të ekzaminimit të sëmundjes.
Duke përdorur mostra të serumit të gjakut nga pothuajse 1,000 femra, hulumtuesit e kërkuan praninë e molekulave të karbonit dhe hidrogjenit të bashkangjitura në një copë të ADN-së të quajtur EFC#93.
Metoda ndihmoi në identifikimin e kancerit në 43 për qind të femrave që u diagnostikuan gjashtë muaj më vonë.
Prania e atyre molekulave të bashkangjitura, të quajtura metilim i ADN-së, është një shenjë dalluese që kanceri i një personi mund të jetë fatal. Studiuesit thonë se ai mund të zbulohet para se mamogramet ta gjejnë kancerin në gji, duke e mundësuar kështu trajtimin më herët.
Kjo metodë u përdor gjithashtu për t’i klasifikuar 88 për qind të femrave që nuk kanë zhvilluar kancer të gjirit, ndërsa prof. Martin Widschwendter shton se ajo mund të mos jetë aq efektive në diagnostikimin e kancerit jo-fatal të gjirit.
“Më e rëndësishmja, EFC#93 nuk i detektoi kanceret jo-fatale të gjirit më herët. Sa për krahasim, ekzaminimi mamografik e ka një specifikim prej 88-92%, por çon në një mbidiagnostifikim shumë substancial, që do të thotë se detektohen tumoret të cilat kurrë nuk do të kishin shkaktuar simptoma klinike”, tha ai në një deklaratë.
“Objekt i studimeve të mëtejshme, përdorimi i ADN-së pa qeliza si një marker, siç kemi bërë këtu, është një mënyrë premtuese për ta shmangur këtë problem”.
Mjekët po e ndjekin studimin, të botuar këtë muaj në revistën Genome Medicine, për të parë nëse terapia hormonale mund t’i ndihmojë paraprakisht femrat të cilat kishin metilim të ADN-së në EFC#93, por të cilat nuk kanë pasur diagnozë pozitive përmes mamografisë.
“Për herë të parë studimi ynë dëshmon se markerët e metilimit të ADN-së, si EFC#93, e sigurojnë një tregues shumë specifik i cili mund t’i diagnostikojë kanceret fatale të gjirit deri në një vit përpara diagnozës aktuale”, tha Widschwendter.
“Kjo mund të mundësojë trajtim individual, i cili mund të fillojë edhe në mungesë të dëshmive radiologjike në gji”. / Gazeta Shneta