Gjendja shëndetësore e gjinekologut që u plagos ditën e djeshme nga dhëndri i tij, ka filluar të përmisohet.
Por, sërish ai do t’i nënshtrohet një operimi, që do të jetë i treti me radhë.
Kështu kanë konfirmuar zyrtarë të Spitalit Amerikan, ku mjeku Premtim Gojani është duke u trajtuar.
“Gjendja shëndetësore e doktorit sot është stabile. Ai është rikuperuar dukshëm pas dy intervenimeve mjekësore që dje i ka pasur, njëri në kokë dhe tjetri në brinjë. Ai sot është shumë më mirë”, thanë për Expressin zyrtarë të Spitalit Amerikan.
Gojani, në mëngjesin e ditës së djeshme në Prishtinë, u plagos me tre plumba para derës së shtëpisë nga dhëndri i tij Faton Fetiu.
Nga Spitali thanë se mjeku Gojani do të qëndrojë disa ditë në trajtim mjekësor, ku pritet t’i nënshtrohet edhe një intervenimi tjetër mjekësor.
Ndërsa, Express mëson se bëhet fjalë për një plumb tjetër që është gjetur në trupin e mjekut Premtim Gojani, në zonën në mes të brinjëve dhe pankreasit. Për këtë arsye, Gojani do t’i nënshtrohet një operimi të tretë.
Menjëherë pas ngjarjes, dje mjeku u dërgua në sallën e operimit në këtë spital. Fetiu, dyshohet se e gjuajti Premtim Gojanin me tre plumba, derisa ky i fundit po dilte nga dera e shtëpisë së tij.