Kolegë, miq e familjarë të anesteziologut Sylejman Dulla u mblodhën sot në një takim komemorativ për anesteziologun i cili ndërroi jetë nga koronavirusi.
I njohur si Doktor Syla, disa ditë para se të sëmurej vet, kujdesej për pacientët e infektuar me Covid në Mjekimin Intensiv Qendror në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Lulzim Emini ka thënë se në ditët e fundit ishin përgatitur për ta lëshuar për në shtëpi pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, por nuk ishte e shkruar të ndodhte kështu.
“Ishim të përgatitur ta lëshonim në shtëpi, por ja që nuk ishte e shkruar të ndodhte! Me dhimbje të thellë u dasht të pajtohemi me opcionin më të vështirë”, ka thënë Emini.
Në përkujtim të anesteziologut të ndjerë ishte i pranishëm edhe drejtori i Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale Ferat Sallahu. Kirurgu ka thënë se me Dullën ishin shok që nga bankat shkollore dhe e ka kujtuar si njëri që ka qenë i gatshëm gjithmonë të ndihmonte të tjerët.
“Edhe në punë nuk ndaloi asnjëherë duke ju ndihmuar pacientëve e shpesh herë dukë vënë në rrezik edhe jetën e tij. I tillë ishte miku im Syla, shpirtbardhë e i dëlirë. Më beso miku im se errësirën që ke lënë është shumë e madhe”, ka thënë Sallahu.
Më posht gjeni fjalën e plotë e anesteziologut Lulzim Emini:
Ishim të përgatitur ta lëshonim në shtëpi, por ja që nuk ishte e shkruar të ndodhte! Me dhimbje të thellë u dasht të pajtohemi me opcionin më të vështirë
Dr Sylën e kam njohur në shumë etapa jetësore:
-Si nxënës (i urtë, i qetë, i tërhjekur, e ndonjëherë me një buzëqeshje karakteristike),
-Si student (fjalëpak, punëtor i zellshëm, këmbëngulës të mos dorëzohej para cakut),
-Si punëtor-Infermier (punonte përtej pozitës profesionale, për të dëshmuar përkushtimin
për pacientin),
-Si specialist (punëtor, bashkëpunues, i respektueshëm ndaj kolegëve më me përvojë dhe ndaj udhëheqësve të drejtpërdrejtë, ndonjëherë ekspulsiv, kur duhej argumentuar në baza interdisiplinare).
-Prej fillimit i kyçur në mjekimin e pacientëve me Covid-19, e në fund përfundoi si pacient nga po kjo sëmundje.
Në të gjitha fazat e jetës, atë e karakterizojnë tiparet e ngjajshme, dmth nuk ndryshoi karakterin njerëzor, përkundër lëkundjeve të vlerave në shoqëri.
E nderuara Familje Dulla,
Ne, shokët dhe shoqet e Dr Sylës do të jemi përherë në dispozicionin Tuaj.
Bëni përpjekje që me durim të kaloni këtë fazë.
Sakrifica e tij personale dhe profesionale, na ka bërë krenarë edhe neve si profesionistë, andaj
kujtimi për veprën e tij do të jetë i përjetshëm.
Lavdi veprës sublime të Dr Sylejman Dullës.