Komisioni Disiplinor i SHSKUK-së e ka ‘amnistuar’ jashtëligjshëm drejtorin e Klinikës së Radiologjisë Bujar Gjikolli, për zhdukjen e USB-së.
Pas raportimit të Gazetës Shneta në fund të muajit korrik për zhdukjen e një USB-ie të rëntgenit në Klinikën e Radiologjisë, drejtori i SHSKUK-së i procedoi në Komisionin Disiplinor drejtorin e klinikës Bujar Gjikolli si dhe kryeinfermieren.
Një nga arsyet për procedimin në Komision Disiplinor siç ka mësuar Gazeta nga burime brenda SHSKUK-së, është se menaxhmenti i Radiologjisë nuk e kishte raportuar me kohë zhdukjen e USB-së. Zhdukja e USB-së ishte evidentuar zyrtarisht më datën 5 korrik të këtij viti.
Gazeta ka siguruar një dokument ku shihet se kryeinfermierja e klinikës i është drejtuar me një shkresë zyrtare Gjikollit, ku ia kujton se tre ditë më parë së bashku kanë qenë të pranishëm në dhomën e RTG-së ku është evidentuar mungesa e USB-së. Por Gjikolli nuk e kishte raportuar këtë rast.
Rasti është raportuar disa javë më vonë në një mbledhje të Bordit të SHSKUK-së ku është kërkuar raportim pse nuk është funksionalizuar kjo pajisje. E më pas menaxhmenti i SHSKUK-së rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës.
E Komisioni Disiplinor për ironi, rastin e Gjikolli e ka pezulluar deri në përfundimin e hetimeve nga Policia e Kosovës. Por në fakt Gjikolli ishte proceduar në Komision pikërisht për faktin se nuk e kishte raportuar rastin.
Madje Gazeta ka mësuar nga burime brenda SHSKUK-së se në takimin e Komisionit i cili kryesohet nga Shpend Haxhibeqiri, ishte ftuar një anëtar i Sindikatës i cili zyrtarisht nuk është anëtar i Komisionit. Tre nga anëtarët e Komisionit kanë votuar që rasti të pezullohet.
Për këtë rast Gazeta ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i SHSKUK-së dhe Haxhibeqiri, por asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.
Megjithatë Gazeta Shneta ka mësuar nga burime se tashmë një anëtar i Komisionit është shkarkuar dhe Komisioni pritet të mblidhet sërish për të njëjtin rast.
Ky rëntgen është një nga pajisjet të cilat janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes një kredie të Bankës Botërore për nevojat e SHSKUK-së në dhjetor të vitit të kaluar. Prej atëherë kjo pajisje nuk është funksionalizuar. /Gazeta Shneta/