Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës emergjente për Koronavirusin Covid-19 i formuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka rekomanduar ngritjen e nivelit të gatishmërisë, por në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për qetësi.
Në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së djeshme, Komiteti ka konfirmuar se deri më tani nuk ka asnjë rast të regjistruar me koronavirus në Kosovë, shkruan Gazeta Shneta.
“Komiteti i ka rekomanduar Qeverisë ngritjen në një nivel më të lartë të shkallës së gatishmërisë dhe të reagimit sipas Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Koronavirusit dhe planeve të tjera të reagimit të parapara për rastet e emergjencave të shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Njoftimi i plotë:
Rekomandohet ngritja e nivelit të gatishmërisë kundër Koronavirusit
Në funksion të vlerësimit, koordinimit dhe mbajtjes së komunikimit konstant midis institucioneve përgjegjëse qeveritare për menaxhimin e situatës lidhur me situatën epidemiologjike me Koronavirus Covid-19, Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës emergjente për Koronavirus ka mbajtur të hënën pasdite takimin e radhës.
Në këtë takim është bërë një raportim lidhur me situatën në vend për sa i përket Koronavirusit, me ç’rast është raportuar se deri me datë 2 mars 2020 në Kosovë nuk ka pasur raste të regjistruara të Koronavirusit, derisa aktivitetet janë duke u zbatuar sipas Planit të gatishmërisë dhe reagimit ndaj Koronavirusit Covid -19.
Përfaqësues të institucioneve të cilat marrin pjesë në këtë Komitet kanë raportuar për aktivitetet e ndërmarra në përgjegjësitë e tyre.
Komiteti, bazuar në sitiatën epidemiologjike, ka vlerësuar se popullata nuk ka nevojë të ketë panikë, porse kërkohet që të rritet niveli i masave higjienike personale e kolektive si masë parandaluese, derisa po vazhdojnë edhe angazhimet për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore me qëllim të përballimit të rasteve eventuale dhe përforcimin e masave mbrojtëse për personelin shëndetësor.
Komiteti, gjithashtu, i ka rekomanduar Qeverisë ngritjen në një nivël më të lartë të shkallës së gatishmërisë dhe të reagimit sipas Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Koronavirusit dhe planeve të tjera të reagimit të parapara për rasget e emergjencave të shëndetit publik.