Disa kompani që ofertuan në procedurën e parë urgjente të Ministrisë së Shëndetësisë, ngritën çmimet e produkteve medicinale deri në 1 mijë për qind. Kjo është konfirmuar nga Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë Dr. Naim Bardiqi, në një intervistë për Gazetën Shneta.
Bardiqi në intervistë deklaron se kërkesat për mjete mbrojtëse nga koroanvirusi kanë qenë enorme për MSH-në. Përveç njësive të SHSKUK-së, nga MSH ka kërkuar furnizim edhe Policia e Kosovës dhe Posta e Kosovës. Ai ka thënë se vetëm SHSKUK e cila ka shpenzuar sasinë e këtyre maskave brenda një viti, në këtë situatë shpenzimi i materialit të njëjtë ka ndodhur brenda 3-4 ditëve.
“Ne menjëherë kemi kërkuar fonde nga Qeveria dhe kemi nisur një aktivitet me procedurë urgjente ne si MSH por edhe SHSKUK-ja. Ishim në gjendjen me 1/12 e buxhetit dhe kemi ndarë 100 mijë euro duke shpresuar që kjo sasi do të na mjaftoj deri në nisjen e një procedure tjetër”.
“Por ato sasi e kemi parë se po shpenzohen shumë shpejt dhe kemi qenë të obliguar që edhe procedurën e dytë ta bëjmë të negociuar. Janë thirr më shumë se 20 kompani. Nga 10 llote, një s’ka pasur oferta fare. 2 llote tjera kanë qenë me çmime abuzuese të cilat nuk kanë kaluar dhe janë anuluar, llotet tjera janë aprovuar, disa kanë pasur devijme në minus ndërsa disa deri në 4 për qind të cilat jemi detyruar t’i aprovojmë”, ka deklaruar Bardiqi.
Ai ka thënë se në procedurën e parë ka pasur shpërputhje të madhe të çmimeve referente me ato të ofertave. Madje çmimet janë rritur deri në 1 mijë për qind dhe për këtë janë njoftuar organet e hetuesisë.
“Në rastin e procedurës së parë emergjente kemi marr çmimet referente të kontratave paraprake, por të cilat kanë qenë në shpërputhje me çmimet reale. Ka pas deri në 1 mijë për qind dallim në çmime dhe natyrisht se më është dashur të anuloj këtë aktivitet. Pastaj është ngritur një komision i cili në terren ka hulumtuar çmimet dhe në rajon dhe më pas ato çmime janë marr si referencë për dy procedurat tjera”, ka thënë Bardiqi.
Ai ka deklaruar se ofertat për mjetet dezinfektuese janë rritur me 67 për qind, e poashtu disa qindra më shtrenjt janë ofertuar edhe termometrat. Ndërkaq tek masakt mbrojtëse blerja i ka kushtuar MSH-së më pak sesa vlera e parashikuar.
Sipas dosjes së tenderit të cilën e posedon Gazeta, MSH ka kërkuar 25 mijë e 500 maska të standardit FFP2 me çmim 8 euro. MSH po ashtu ka blerë 11 mijë copë veshje mbrojtëse për tërë trupin, 6 mijë mburoja për fytyrë, 10 mijë çarçafa për një përdorim, 1 mijë copë syza mbrojtëse. Ndërkaq për qese të kufomave nuk ka pasur oferta.
Bardiqi ka sqaruar në fund se ndaj të gjitha kompanive që kanë abuzuar me çmimet në situatën emergjente, janë raportuar tek organet e hetuesisë dhe autoriteti i konkurrencës.
“Të gjitha masat ndaj këtyre kompanive do të merren në bazë të ligjit për shëndetësi dhe kodit penal dhe do të sanksionohen që në situatë të emergjencës kombëtare kanë abuzuar me çmimet. Këto lloj keqpërdorime tejkalojnë kompetencat e inspektoratit shëndetësore apo farmaceutik. Ne si MSH qysh në procedurën e parë të prokurimit kemi njoftuar organet e hetuesisë dhe autoritetin e konkurrencës se kemi hasur çmime abuzuese në treg”, ka sqaruar Bardiqi. /Gazeta Shneta/