Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, iu kanë bërë thirrje grave që të vizitohen në Qendra e Mjekësisë Familjare për të kryer Pap testin.
“Me këtë rast, ftohen të gjitha gratë ë moshës 21 deri në 65 vjec nga Komuna e Prishtinës të bëjnë Pap testin në njërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, si: Qendra për Mirëqenien e Gruas tek Qafa, Qendra e Mjekësisë Familjare 5 në Ulpianë apo edhe Qendra e Mjekësisë Familjare 6 në Kodrën e Diellit”, thuhet në një njoftim, transmeton Gazeta Shneta.
Të gjitha materialet informuese tashmë ndodhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë ku gratë dhe vajzat mund të orientohen për të caktuar termine si dhe për t’u informuar më shumë rreth procesit të përgatitjes para marrjes së Pap-testit.
Pilot programi i realizuar ne vitin 2016 mundësoi bërjen e Pap testeve për mbi 2,000 gra në Komunën e Prishtinës dhe kjo fazë pilotimi mundësoi identifikimin e rasteve në fazën e ndryshimeve qelizore që mund të çojnë drejt zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës, duke mundësuar kështu trajtimin e tyre me sukses, thuhet tutje në njoftim.
Vazhdimi i këtij programi paraqet një nga prioritetet e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë dhe të Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe u mundësua në saje të mbështetjes nga Drejtorati Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Prishtinë në mënyrë që Pap testet të ofrohen në kuadër të shërbimeve të rregullta shëndetësore në nivelin e kujdesit primar në këtë Komunë. /Gazeta Shneta/