Konfirmimi i 79 personave me koronavirus përkeqëson projeksionin e ekspertit Beqiri

2020-04-13 në ora 09:13

Pas zvogëlimit të kohës së dyfishimit të numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, është përkeqësuar edhe projeksioni për 2 javët e ardhshme.

Eksperti i OBSH-së Merkur Beqiri ka publikuar projeksionin e fundit pas konfirmimit të 79 rasteve pozitive gjatë mbrëmjes së djeshme. Kjo ka bërë që lakorja të ngritët vertikalisht dhe të zvogëlohet numri i ditëve të dyfishimit, transmeton Gazeta Shneta.

Nga 296 raste aktive sa janë aktualisht në Kosovë, sipas trendit kosovar bazuar në dinamikën e deritanishme numri mund të shkoj në rastin më të mirë në 1 mijë e 141 persona pozitiv në 2 javët e ardhshme.

Ndërkaq në rastin më të keq, kur masat parandaluese janë të lehta dhe vigjilenca e ulët, atëherë Kosova do të përballej me afër 9 mijë të infektuar.

Ndërkaq versioni i tretë, ai nën masa rigoroze dhe gjithëpërfshirëse, numri në 2 javët e ardhshme do të arrinte në 513 persona.

Eksperti Merkur Beqiri ka bërë projeksione edhe gjatë ditëve të kaluara ku koha e dyfishimit të rasteve ka qenë 9.3 ditë. /Gazeta Shneta/