Tre pacientë të Klinikës Emergjente në QKUK kanë rezultuar pozitiv me koronavirus Covid-19, dhe njëri prej tyre ka ndërruar jetë.
Tre pacientët janë pranuar dje në Emergjencën e QKUK-së, njëri nga Mitrovica, një nga Malisheva dhe një nga Ferizaj. Ky i fundit ka ndërruar jetë, ka mësuar Gazeta Shneta nga burime të sigurta.
Lajmi tashmë është konfirmuar edhe nga SHSKUK me anë të një njoftimi zyrtar ku janë dhënë edhe detaje të pacientëve.
“F.M. (1969) punëtor fizik nga Malisheva, i lënduar. Për shkak se vinte nga zona e prekur me Covid-19, i është bërë testi dhe ka dalë pozitiv”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
“I.SH. (1955) i transferuar nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe i njëjti për shkak të arrestit kardiak përkundër angazhimit maksimal nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente ai nuk ka arritur të mbijetoi. I njëjti ka rezultuar pozitiv në Covid-19 pas testimit, post mortum”.
“G.M. (1964) nga Mitrovica i trajtuar fillimisht në një spital privat, transferohet në Klinikën Emergjente, probleme me diabet dhe zemër pas rezultateve rezulton pozitiv me Covid-19. Është transferuar për trajtim të mëtejm në Klinikën Infektive”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
SHSKUK ka konfirmuar poashtu se stafi mjekësor kanë qenë të pajisur me të gjitha masat mbrojtëse dhe paoshtu është bërë dezinfektimi i Klinikës menjëherë sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar. /Gazeta Shneta/