Një nga barrierat e personave të sëmurë nga kanceri në Kosovë, është mungesa e qasjes në medikamentet e reja farmaceutike të zbuluara në botë, për shkak të kostos së lartë të tyre
Në kuadër të Ditës Botërore të Kancerit, Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit ka organizuar një tryezë diskutimi për të arriturat dhe sfidat e sistemit shëndetësor të Kosovës në luftën kundër kësaj sëmundje.
Kryesuesja e këtij Bordi, Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, ka deklaruar se Kosova duhet të zhvillojë protokolle të bazuara në evidenca për menaxhimin e sëmundjes tek fëmijët dhe të rriturit, duke përfshirë edhe kujdesin paliativ, shkruan Gazeta Shneta.
Ajo theksoi se pacientët kosovarë përballen me mungesë të barnave të zbuluara nga hulumtimet e fundit, për shkak të kostos së lartë të tyre.
“Medikamentet e reja të bazuara në hulumtimet inovative për trajtim të kancerit në vitet e fundit, mbeten barrierë për Kosovën për shkak të çmimeve të shtrenjta”, ka deklaruar ajo.
Manxhuka-Kërliu theksoi nëntë synimet e Deklaratës Botërore të kancerit e cila përfshin: Fuqizimin e sistemit shëndetësor për kontroll më efektive të kancerit, një kancer-regjistër më efektiv, reduktimi i ekspozimit të faktorëve të rrezikut, mbështetje për programet e vaksinimit, reduktim të stigmës dhe mitit të kancerit, qasje universale në programet e skriningut dhe detektim të hershëm, përmirësim të kujdesit dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe edukim të vazhdueshëm të profesionistëve.
“Përmbushja e këtyre obligimeve deri në vitin 2020 do të ulte incidencën e kancerit për 25 për qind”, është shprehur mjekja.
Ministri Uran Ismaili tha se mjekët do të kenë përkrahjen e plotë dhe i ftoi që të punojnë së bashku në mënyrë që të funksionojnë hallkat e përbashkëta kundër sëmundjes së kancerit.
“As sot dhe asnjë ditë tjetër kancerit nuk duhet të konsiderohet si dënim me vdekje dhe aq më pak kur përditë e më shumë po shtohet kapacietet dhe mundësit për të zvogëluar barrën e tij”, është shprehur Ismaili.
Detektimi i hershëm i kancerit shpëton jetë, prandaj MSH dhe Bordi po punojnë për të plotësuar planin nacional për kontroll të kancerit.
“Jemi në fazën e përpilimit të një projekti me Bankën Botërore për skriningun e gjithë popullatës së Kosovës dhe ju ftoj edhe juve që të kemi një takim për të parë se cilat aktivitete janë të rëndësishme”, ka deklaruar ai.
Ministri theksoi se ende ka probleme me pajisje dhe citostatikë, si dhe edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësorë. /Gazeta Shneta/