Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj bashkë me drejtorin e SHSKUK-së Valbon Krasniqi, vizituan sot Klinikën e Kirurgjisë Torakale ku u pritën nga drejtori Saudin Maliqi.
Në këtë vizitë, e cila ishte më shumë politike sesa për nevoja të klinikës, ndodhi një ngjarje komplet në kundërshtim me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, si dhe në kundërshtim me urdhëresat e vet SHSKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo për faktin se drejtori i klinikës Saudin Maliqi, i futi mysafirët Zemajn dhe Krasniqin, e bashkë me ta edhe dhjetëra gazetarë, nëpër dhomat e pacientëve të cilët ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.
Siç shihet edhe në fotografitë e realizuara nga Gazeta Shneta, ministri me dy drejtorët e QKUK-së u futën në tre dhoma të pacientëve duke mos mbajtur distancë e madje i lejuan edhe gazetarët që të afrohen tek pacientët për të marr pamje për vizitën e tyre. Të gjithë të pranishmit ishin me maska ose kirurgjike ose artizanale, të cilat sipas ekspertëve nuk mjaftojnë për të ulur rrezikun ndaj infeksionit.
Kjo ka bërë që të ekspozohen pacientët ndaj rrezikut të infeksionit me Covid-19, duke cënuar kështu të drejtat e pacientëve e madje duke ekspozuar ndaj rrezikut edhe shëndetin e tyre.
Njëri nga pacientët ishte në gjendje postoperative duke u trajtuar me oksigjen, pas lëndimeve të rënda që kishte pësuar në një aksident. Maliqi ia shpjegonte ministrit Zemaj gjendjen e këtij pacienti, ndërkohë qëndronin fare afër tij duke mos mbajtur distancë e duke mos pasur as veshje sterile.
Për të evituar grumbullimin dhe mosmbajtjen e distancës bënte thirrje drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, por thirrjet e tij nuk u përfillen as nga ministri e as nga drejtori i klinikës.
Pas kësaj ngjarje në prononcimin për media, Gazeta Shneta ka shtruar pyetje për drejtorët se pse është dashur të ekspozohen pacientët ndaj rrezikut të Covid-19. Por porsa gazetari ka shtruar këtë pyetje, ministri Zemaj ka ndërhyrë për të ndërprerë prononcimin për media. /Gazeta Shneta/