Kryeinfermierja e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Miradije Kica, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Odës së Infermierëve të Kosovës Naser Rrustemi, pas formimit të këshillit nacional me anë të të cilit po kërkohet koeficienti sipas shkollimit.
Kica, e cila është një nga kontribuueset për funksionalizimin e OIK-ut, e ka quajtur skandaloz formimin e këshillit. Ajo ka pyetur Rrustemajn se pse është e nevojshme t’i delegojë detyrat e tij që i ka si kryetari i OIK-ut tek ky këshill, transmeton Gazeta Shneta.
“Formimi i këtij këshilli është skandaloz! Pyesim kryetarin e OIK-ut se çfarë roli ka si kryetar nëse detyrat dhe obligimet e tij dhe te këshillit drejtues i adreson te ‘këshilli nacional’. Formimi i këtij këshilli është privat i klanit të Naser Rrustemajt!”, ka shkruar Kica në Facebook.
Ajo ka akuzuar Rrustemajn se ai së bashku me klanin e tij po përfitojnë nga buxheti i Odës në kurriz të infermierëve. “Është shumë e qartë që është formu për përfitime të klanit të Naserit! Ky veprim është turpi i radhës së kryetarit i cili e din se si e ka fitu mandatin e dytë! Ky klan sillet pa pikë përgjegjësie ndaj anëtarëve të vet dhe zhvat buxhetin e OIK-ut si t’ia don qejfi ati dhe klanit të fij! Fleni infermier fleni, të tjerët po pasurohen në kurrizin tuaj”, ka shkruar Kica.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga OIK për këto akuza, por ky institucion nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këto akuza.
Gazeta ka raportuar për formimin e këtij këshilli nga Oda e Infermierëve. Si kryesuese e këshillit është vendosur rektorja e kolegjit Heimerer Natyra Karahoda, ndërsa anëtar janë ligjëruesit e kolegjit AAB, Naser Rrustemaj, Hysni Bajrami, Lirije Beqiri, dekani i infermierisë Idriz Sopjani, etj.
Vendimin e parë që e mori ky këshill është kërkesa për përcaktimin e koeficientit sipas gradës së shkollimit. Ky vendim po shihet si presion ndaj infermeirëve për të regjistruar fakultetin e infermierisë në njërin nga kolegjet private. Gazeta ka kërkuar sqarime nga OIK, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet me email. /Gazeta Shneta/