Kryeinfermierja nga Klinika Infektive: Kemi kapacitete për t’i menaxhuar rastet me Covid-19

2020-04-13 në ora 20:16

Arlinda Fushtica-Ahmeti, kryeinfermierja e repartit “F” në Klinikën Infektive në QKUK, ka bërë me dije se përkundër rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19, situata po menaxhohet me sukses në këtë klinikë.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se situata tani është nën kontroll falë punës së palodhshme dhe përkushtimit të të gjithë punonjësve të Klinikes Infektive, duke filluar nga stafi mbështetës, infermierët dhe mjekët.

Ajo ka thënë se Klinika Infektive ka kapacitete dhe staf infermieror të mjaftueshme që t’i menaxhojë raste me Covid-19. “Ne kemi 120 shtretër në kuadër të Klinikës infektive dhe gjashtë në mjekimin intensiv të klinikës, me këto kapacitete, tani për tani ne po e menaxhojmë gjendjen me gjithë pacientët e shtrirë në klinikën tonë”, ka thënë Arlinda Fushtica-Ahmeti.

Ajo ka folur edhe për rrezikshmërinë e bartjes së infeksionit Covid-19 te stafi shëndetësor.

Kryeinfermiere e repartit “F” në Klinikën Infektive, Arlinda Fushtica-Ahmeti, ka thënë se ekziston rrezikshmëria e bartjes së infeksionit, pasi puna e tyre është e lidhur drejtpërdrejt me personat e infektuar.

Por ajo ka theksuar se gjithmonë mundohen maksimalisht që në mënyrë të duhur t’i përdorin masat mbrojtëse. “Asnjëherë nuk mund të eliminohet rreziku i bartjes së infeksionit edhe te stafi, gjë që edhe ka ndodhur, ku deri më tani i kemi pesë infermiere të infektuara, nga kontakti me pacientë, nga këto njëra është tanimë e shëruar”, ka deklaruar Fushtica-Ahmeti.

“Epoka e re”: Sa po arrihet të menaxhohet situata e pandemisë Covid-19 në Klinikën e Infektives?

Arlinda Fushtica-Ahmeti: Për momentin përkundër rritjes së numrit të të infektuarve ditëve të fundit, situata po menaxhohet me sukses nga stafi infermieror. E gjithë situata deri më tani është nën kontroll falë punës së palodhshme dhe përkushtimit të të gjithë punonjësve të Klinikes Infektive, duke filluar nga stafi mbështetës, infermierët dhe mjekët.

“Epoka e re”: Cilat janë kapacitetet e Klinikës Infektive për t’u përballur me Covid-19 kur tanimë po dihet se numri i infektuarve është në rritje?

Arlinda Fushtica-Ahmeti: Në kliniken tonë, tani për tani kemi kapacitete dhe staf infermieror të mjaftueshme që t’i menaxhojmë këto raste. Gjithashtu edhe materiali shëndetësor i nevojitur për trajtimin e sëmundjes nuk mungon. Po shpresojmë që në rast të rritjes së numrit të të infektuarve në përmasa më të mëdha, kapacitetet infermierore do të rriten me ndihmën nga Drejtoria e Infermierisë të QKUK-së, ashtu siç na kanë dalë në ndihmë edhe deri më tani, si dhe nuk do të mungojë e gjithë infrastruktura e nevojshme mjekësore, duke filluar nga masat mbrojtëse e deri të barnat e nevojshme për trajtimin e pacientëve.

“Epoka e re”: Sa është rrezikuar stafi punonjës në këtë klinikë, mjekët dhe infermierët nga rastet e konfirmuara që pranohen në këtë klinikë?

Arlinda Fushtica-Ahmeti: Rrezikshmëria e bartjes se infeksionit të stafi shëndetësor gjithmonë ekziston, sepse puna jonë është e lidhur drejtpërdrejt me personat e infektuar, mirëpo ne gjithmonë mundohemi maksimalisht që në mënyrë të duhur t’i përdorim masat mbrojtëse, por asnjëherë nuk mund të eliminohet rreziku i bartjes së infeksionit edhe te stafi, gjë që edhe ka ndodhur, ku deri më tani i kemi pesë infermiere të infektuara, nga kontakti me pacientë, nga këto njëra është tanimë e shëruar.

“Epoka e re”: A ka mjete mbrojtëse të sofistikuar stafi në Klinikën e Infektives për t’u mbrojtur dhe si qëndroni me shtretër për pacientet që iu nënshtrohen ekzaminimeve ndaj kësaj pandemie?

Arlinda Fushtica-Ahmeti: Mjete mbrojtëse kemi, duke filluar nga dorëzat, mantelët një përdorimëshe, syzet, kapelat, kalaqet, pra gjitha masat mbrojtëse që nevojiten për një infermier për t’u ballafaquar me pacientin e infektuar me Covid-19. Ne kemi 120 shtretër në kuadër të Klinikës infektive dhe gjashtë në mjekimin intensiv të klinikës, me këto kapacitete, tani për tani ne po e menaxhojmë gjendjen me gjithë pacientët e shtrirë në klinikën tonë.

“Epoka e re”: Si është sjellja e pacientëve në këtë klinikë të prekur nga Covid-19, sepse kemi të bëjmë një panik që ka kapluar gjithë botën?

Arlinda Fushtica-Ahmeti: Së pari mendoj që qasja e jonë si infermier ndaj pacientëve, është mjaftë profesionale, gjithmonë në shërbimin e tyre, duke e ditë edhe gjendjen emocionale të tyre dhe frikës që e kanë. Ne mundohemi që gjithmonë të jemi afër tyre dhe t’iu ndalim në ndihmë si në aspektin profesional edhe në aspektin emocional. Në përgjithësi raporti i dyanshëm staf infermieror-pacient është i kënaqshëm.

Gjithashtu assesi nuk duhet harruar, menaxhimin shumë të mirë të kryeinfermieres së Klinikës Infektive, Zyrafete Hulaj dhe gjithë infermierëve të cilët me të vërtet po bëjnë punë të palodhshme në trajtimin e pacientëve të infektuar. Në fund do të apeloja te qytetarët e Kosovës, që në këtë fazë e cila është kritike, me rritjen e numrit të infektuarve me Korona Virus, që të jen të përngjeshëm dhe të dëgjojnë rekomandimet e IKSHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa ne do të jemi në shërbim, duke e kryer punën tonë në trajtimin e pacientëve të infektuar.