Kryeministri e dërgon babanë në spital privat, injoron QKUK’në

2018-06-02 në ora 11:01

Hilmi Haradinaj, babai i kryeministrit është me probleme shëndetësore në zemër, derisa ditën e djeshme kishte shkuar rreth orës 15 në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.

Por si duket kushtet brenda QKUK-së nuk e kanë bindur atë që të vazhdojë shërimin aty, duke kaluar në një spital privat në Prishtinë, këtë e ka konfirmuar edhe Daut Haradinaj, derisa ka shtuar se nuk i di arsyet përse është larguar nga spitali publik.

“E patëm pak në QKUK, por aty, por tash e dërgum për një ndërhyje. Por, s’e di tash”, ka thënë Haradinaj të shtunën.

E, vëllai i kryeministrit ka thënë se janë duke pritur se çfarë do të jetë diagnoza që do të përshkruajnë mjekët për gjendjen e babait, derisa  kardiologu në QKUK, Fisnik Hima, ka thënë se babai i kryeministrit është dërguar në spitalin privat aty ku më herët janë kryer intervenimet.

“Në spital privat është. Nuk është në të shtetit. Në spital tonin nuk është. E kanë dërgu në spitalin ku i ka bërë më herët intervenimet”, ka thënë Hima, për Gazetën Express.

Haradinaj disa herë i ka quajtur mjekët e QKUK “heronj” të Kosovës, por mjekimin e babait nuk ua ka besuar atyre.