Kryetari i Odës alarmon: Në vend të mjekëve po punësohen staf administrativ, faji është te menaxherët

2020-06-18 në ora 09:05

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Dr. Pleurat Sejdiu ka ngritur shqetësimin se vendet e lira të punës për mjekët po mbushen me punonjës administrativ nga menaxherët e spitaleve.

Sejdiu ka nxjerr disa statistika ku në QKUK 21.4 për qind e punonjësve janë mjekë ndërsa 15.9 janë staf jo mjekësor. Ai ka thënë se është shqetësuese diferenca kaq e vogël ndërmjet numrit të mjekëve të punësuar në QKUK, dhe stafit administrativ.

“Këtu është faji te menaxherët, s’ka asnjë diskutim. Është e papranueshme kjo diferencë kaq e vogël ndërmjet stafit në administratë dhe stafit mjekësor, mos të flasim për stomatologët të cilët janë 1.9 për qind”, ka deklaruar Sejdiu në një tryezë të organizuar dje nga OMK me titull “Ligji i pagave dhe mjekët e papunë”, shkruan Gazeta Shneta.

Tutje kryetari i OMK-së ka deklaruar se në tre vitet e ardhshme mbi 300 mjekë do të shkojnë në pension. Vetëm këtë vit sipas Sejdiut do të pensionohen 74 mjekë në spitalet publike dhe këto vende të punës rrezikohen të mbushen me staf administrativ.

“74 vende të punës lirohet këtë vit, nëse menaxherët nuk i plotësojnë me vende punë në adminsitratë”, ka deklaruar Sejdiu.

Kryemjeku i Kosovës ka thënë se në Kosovë janë 647 mjekë të pa punë, prej të cilëve janë 87 specialistë dhe 560 mjekë të përgjithshëm. Ai ka thënë se rreth 20 për qind e tyre kanë kërkuar certifikatën e pastërtisë etike për të shkuar jashtë vendit. /Gazeta Shneta/